Tragjedia në Kaukazin e Veriut, ku sulmi terrorist në tregun qendror të Vlladikaukazit mori jetën e 18 vetave, dhe më shumë se 100 të tjerë janë plagosur, është tema kryesore e gazetave. Kryetari i shtetit menjëherë u informua në lidhje me këtë ngjarje që ndodhi në kryeqytetin e Osetisë së Veriut, shkruan botimi "Rossiskaja gazeta". "Ne do të bëjmë gjithçka , që organizatorët e këtij sulmi të identifikohen dhe të dënohen", deklaroi Presidenti Dimitri Medvediev. Ndërkohë, detyrë kryesore sot, është ndihma për të dëmtuarit dhe mbështetja morale për familjet e viktimave, theksoi Presidenti. Siç deklaroi Vladimir Putin në takimin me Kryetarin e Komitetit të myftinjve Ravil Gajnutdin, autoritetet e Rusisë shpresojnë tek kontributi vendimtar i myslimanëve rusë në luftën kundër ekstremizmit. Krime të tillë destinohen që të mbjellin armiqësi tek banorët tanë. Ne nuk kemi të drejtë ta lejojmë këtë gjë, theksoi Kryeministri. Ndihma në Vlladikaukaz do të vijë nga i gjithë vendi. Të dëmtuarit në gjendje të rëndë janë transportuar në spitalet e Moskës.

Ulja problematike e avionit, i cili po kryente fluturimin nga aeroporti "Poljarni" i Jakutisë për në Moskë, ka shumë gjasa të hyjë në historinë e fluturimeve ruse si një mrekulli, shkruan botimi "Komsomolskaja pravda". Shtypi vazhdon të shtojë hollësi unikale për rastin e avionit civil. Avioni rus Tu-154 me sistemet e drejtimit që nuk funksiononin u ul në pistën e avionëve në tajgë, që nuk funksionon më. Gjatë kësaj avioni ka pësuar dëmtime të vogla, kurse 79 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit u frikësuan shumë. Gazeta shton, se pilotët e ulën avionin 8 minuta para se të përfundonte lënda djegëse. Aktualisht ekuipazhi heroik mbërriti në Moskë. Pasagjerët e avionit iu drejtuan Presidentit të Rusisë Dimitri Medvediev me kërkesën për dekorim të pilotëve. Kryetari i shtetit vlerësoi lartë veprimet e ekuipazhit dhe deklaroi, se do të nënshkruajë patjetër urdhrin për dekorim.

Moldavia po hyn në një hallkë të re të krizës politike. Referendumi, i cili u zhvillua me synimin për të ndryshuar Kushtetutën dhe për tu kthyer tek zgjedhjet e drejtpërdrejta presidenciale, nuk u realizua. Të zhvillohet përsëri referendumi , sipas ligjit, mund të bëhet jo më parë se pas dy vjetësh. Tani për tani do të zhvillohen zgjedhjet e paradokohëshme parlamentare, që janë planifikuar për në 21 nëntor. Siç shkruan botimi "Rossiskaja gazeta", kriza politike në Moldavi po vazhdon tashmë që prej një viti e gjysëm. Pushteti në vend sikur ndryshoi, por presidenti nuk është zgjedhur akoma, ndërrimi i ligjvënësve vetëm sa ka shtuar destabilitet, puna e parlamentit është paralizuar. Qeveritarët e tanishëm nuk mundën ta konsolidonin shoqërinë. Moska zyrtare nuk e komenton dështimin e referendumit moldav. Por ajo, kuptohet, interesohet, se kush do të vijë në pushtet në Moldavi dhe ku do ta çojnë vendin udhëheqësit e tjerë të saj.