Në Uashington po fillojnë negociatat e drejtpërdrejta midis Palestinës dhe Izraelit. Diplomacia amerikane mori mbi vete rolin e drejtueses së procesit negociator pas asaj kur në pranverë të këtij viti "kuarteti i ndërmjetësve ndërkombëtarë" për rregullimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, në të cilin hyjnë Rusia, SHBA, BE dhe OKB-ja, i bëri thirrje palestinezëve dhe izraelitëve për dialog të drejtpërdrejtë pa kurrfarë kushtesh paraprake. Qëllimi kryesor i negociatave të Benjamin Netanyahut dhe Mahmoud Abbasit është krijimi i Shtetit të pavarur Palestinez. Barack Obama deklaroi, se nuk përjashton aspak mundësinë e zhvillimit të gjithmundshëm të ngjarjeve: si të arritjes së suksesit, ashtu dhe disfatës. Me sa duket nga të gjitha, për Obamën pas dështimeve në Irak dhe Afganistan, tani është e nevojshme medoemos ndonjë fitore diplomatike. Për Presidentin e SHBA është tejet e rëndësishme të ngrejë rejtingun e partisë së vet në vigjilje të zgjedhjeve të ndërmjetme të nëntorit në Konkresin amerikan. Mbi vizionin e vet përkatësisht perspektivave të negociatave në fjalë u shpreh për radiokompaninë "Zëri i Rusisë" deputeti i parlamentit izraelit nga Partia "Likud" Zeev Elkin: "Unë nuk mendoj se mund të jemi krejtësisht të bindur në përfundimin pozitiv të negociatave, veçanërisht me marrjen parasysh të atyre fakteve, se në radhët e palës palestineze ekziston një përçarje serioze dhe se Abbasi realisht përfaqëson vetëm gjysmën e territorit të Autonomisë Palestineze. Qeveria e HAMAS-it në Rripin e Gazës është kundër negociatave, gjë kjo që, natyrisht, e ndërlikon shumë situatën", tha Zeev Elkin. Vërtet, fillimi i negociatave u zymtësua nga veprimet terroriste të radikalëve islamistë të lëvizjes HAMAS. Si rezultat i tyre 4 izraelitë gjetën vdekjen dhe disa të tjerë u plagosën. Edhe Abbasi, edhe Netanyahu i dënuan këto veprime. Por ngjarjet në fjalë dëshmuan për të satën herë, se në ç'sfond të ndërlikuar po ndodh rivendosja e kontakteve. Palestinezët dhe izraelitët i ndajnë kontradita të papajtueshme. Pengesë kryesore është politika që ndiqet nga Izraeli për krijimin e pikave hebree të banimit në territorete  okupuara. Nga pozita diametralisht të kundërta izraelitët dhe palestinezët gjykojnë edhe përkatësisht çështjeve që kanë të bëjnë me kufijtë e shtetit të ardhshëm palestinez, ndarjes së Jeruzalemit dhe kthimit të refugjatëve. Dhe në lidhje me këto probleme, mendohet, se do të jetë shumë e vështirë arritja e kompromisit.