Reformat e Pjetrit të Parë prekën çdo sferë të jetës së Rusisë.

Edhe kuzhina ruse nuk mbeti mënjanë. Nga Evropa Cari rus solli jo pak të reja gastronomike, duke ndryshuar me këtë fizionominë e kuzhinës nacionale. Këtu mund të përmenden edhe llojet e reja të gjellëve, edhe mënyrat e përgatitjes së tyre, edhe orenditë shtëpiake dhe enët e kuzhinës. Me emrin e Pjetrit të Parë lidhin, në radhë të parë, sjelljen e patates në Rusi, e cila fillimisht u prit me mosbesim, por që me kalimin e kohës u shndërrua tek ne në vend, si i thonë fjalës, në "bukë të dytë". Ekziston versioni sipas të cilit Car Pjetri, pasi e vlerësoi pataten gjatë qëndrimit të vet në Holandë, i dërgoi kontit (graf) rus Sheremetiev një thes me patate të shoqëruar me urdhërin për të filluar kultivimin e saj në Rusi. Nëse ka ndodhur vërtet kështu apo jo është vështirë të komfirmohet me bindje të plotë, por duhet thënë se patatja u adaptua megjithatë mjaft mirë në tryezën ruse. Historiani Vasili Kjuçevskij pat shkruar njëherë e një kohë: "Sa Car i çuditshëm ishte ai!... Punonte si marinar, vishej dhe pinte duhan si gjerman, votkën e pinte si ushtar, shante e përleshej si oficer garde". Në të vërtetë Pjetri i Parë nuk ishte aspak nazeli në të ngrënë dhe preferonte jo ushqimin e sofistikuar, por atë fare primitiv. Për shembull, bukën e zezë, çorbën prej elbi, shi (supë me lakër turshi, arme). Të përmbajturit, moderimi i Pjetrit të Parë i habisnin pa masë bashkëkohësit e tij. Por gjatë kësaj Pjetri hante shumë. Ngandonjëherë carin e qortonin, e kritikonin se hante mish në kohë kreshme, meqenëse nuk e pëlqente fort peshkun. Ndërsa në të vërtetë, në vitin 1716 Patriarku i Konstandinopojës i shkroi me dorën e vet lejen që për shkak të shëndetit të dobët të përdorte mishin gjatë gjithë kreshmave, përveç javës përpara kungimit. Pjetri i parë kishte kuzhinier personal Johannes Felten. Atë e përjetësoi në romanin e vet "Pjetri i Parë" shkrimtari rus Aleksei Tolstoi. Zakonisht mëngjesin Pjetri e hante shpejt e shpejt, por për këtë kohë e mbushte mirë barkun. Pastaj punonte disa orë. Gjatë vizitës që i bënte admiralitetit pinte një gotë votkë duke e shoqëruar me gjevrek dhe pastaj sërish ia hynte punës deri në drekë. Drekonte ai thjesht, pa shumë salltante. Nuk duronte dot prezencën e shërbëtorëve të shumtë përqark tryezës së ngrënies - siç vë në dukje historiani - tipar ky tipik holandez. Në qoftë se do ti hedhim një sy menusë së zakonshme të Pjetrit të Parë, do të vëmë re përzierjen e tavolinës tradicionale ruse dhe huazimeve evropiane. Rrepka të reja, të freskëta, dhjathë limburgez, një pjatë shi (supë me lakër turshi), paçe e ngrirë, proshutë, çorbë dhe rosë e pjekur në salcë kosi, së cilës i shtohej qepë e skuqur ose limona turshi - këto ishin gatimet më të preferuara të Pjetrit, kusht i domosdoshëm i drekave të tij. Preferonte ndër gjithë të tjerat ai verën e Moselle, atë hungareze dhe verën ermitazh. Pëlqente gjithashtu kvasin (pije e ngjashme me bozën) dhe uzon. Nuk injoronte edhe birrën. Në të ritë e vet Pjetri pëlqente shumë kafenë dhe duhet thënë se, në kuptimin e plotë të fjalës, e futi atë me forcë në jetën e përditshme në Rusi. Me këtë pije të hidhur të përtej oqeanit Car Pjoter Aleksejeviç u njoh në Moskë në qytezën e mjeshtrave të huaj (e quajtur Nemeckaja slloboda). Pjetri i Parë dhe i detyronte shtetasit e vet të pinin kafe në "asambletë" argëtuese, në të cilat përveç kafesë servirej gjithashtu çokollatë e nxehtë dhe limonatë. Midis takëmeve të ngrënies të Carit, siç tregojnë historianët, vendoseshin gjithmonë një lugë druri me bisht të veshur me fildish, një thikë dhe një pirun me dhëmbë të veshur me kockë në ngjyrë jeshile. Megjithëse shumë bashkëkohës të tij dëshmojnë: se në tryezën e ngrënies Cari Pjetri i Parë preferonte të hante me duar, duke injoruar fare përdorimin e pirunit. Por duam të vemë në dukje gjatë kësaj se ishte pikërisht Pjetri ai që përpiqej të impononte vënien në zbatim në shoqëri të etiketës evropiane në tryezën e gostisë. Udhëzuesi i rregullave të shijes të mirë me titull «Юности честное зерцало» ("Pasqyrë e ndershme e moshës rinore") që u botua për herë të parë në Rusi në vitin 1717 këshillonte: "Është e pahijshme të lëvizësh sa andej-këtej këmbët e duart kur je i ulur në tryezën e ngrënies, duhet të hash pa u ngutur, me qetësi. Nuk duhet të bësh zhurmë me pirun dhe thikë në pjatë, të vizatosh me to mbi sofrabrez apo gjellën në pjatë. Është e palejueshme të thyesh e të trokasësh me to në tavolinë, duhet ndenjur pa zhurmë e në mënyrë të qetë, me trupin drejt e pa lëvizje të tepërta në karrige".