Plani i veprimeve në kuadrin e bashkëpunimit ekonomik deri në vitin 2013 u nënshkrua nga Rusia dhe Zvicra. Marrëveshja në fjalë do ti japë impuls zhvillimit më aktiv të marrëdhënieve të të dyja vendeve, dhe në Bernë janë plotësisht të gatshëm për këtë, - deklaroi Presidentja e Konfederatës Doris Leuthard në takimin me Presidentin e Rusisë Dimitri Medvediev. Negociatat u zhvilluan të enjten në rezidencën presidenciale Boçarov Ruçei, jo larg Soçit. Ngritja në marrëdhëniet ekonomike të Moskës dhe Bernës filloi pas vizitës së vitit të kaluar të Presidentit rus në Bernë. Që prej asaj kohe qarkullimi tregtar dhe investimet po rriten në mënyrë të vazhdueshme, vuri në dukje Dimitri Medvediev. "Ky vit qe mjaft rezultativ për ne. Qarkullimi tregtar midis vendeve tona u rrit deri në 2/3 në krahasim me vitin 2009. Dhe kjo është një tendencë mjaft e mirë. Ajo parashikon edhe forcimin e lidhjeve ekonomike ruso-zvicerane, edhe ripërtëritjen e ekonomive tona pas krizës. Dhe detyra jonë konsiston në forcimin e këtyre tendencave pozitive", tha Presidenti i Rusisë. Jo vetëm për forcimin, por edhe për zhvillimin e këtyre tendencave destinohet programi i ri i veprimeve që është llogaritur për 3 vjet. Ai parashikon, në veçanti, bashkëpunimin në sferën e zhvillimit të sipërmarrjes së vogël dhe të mesme. Interesa të përbashkëta Moska dhe Bernë kanë edhe në sfera të tilla si efikasiteti energjetik dhe kursimi i energjisë elektrike, mjekësia dhe farmaceutika, makinandërtimi dhe nanoteknologjitë. Një ndihmë të paçmuar mund të japin kompanitë zvicerane edhe në modernizimin e ekonomisë ruse, vuri në dukje në intervistën e vet dhënë për radiokompaninë "Zëri i Rusisë" Drejtori i përgjithshëm i Fondit për Politikat efektive Kirill Tanajev: "Në Zvicër është përqendruar një numër i madh projektesh në sferën e teknologjive të larta, një sërë qendrash të mëdha shkencore. Aktualisht ajo është një shtet tejet atraktiv për pjesëmarrje pikërisht në projekte që kanë të bëjnë me teknologjitë e larta. Kurse Rusia ndjen nevojë mjaft të mprehtë për partnerë të interesuar në arritjen e një hopi të qenësishëm në sferën e inovacioneve, modernizimit. Në këtë kuptim marrëdhëniet me Zvicrën është e vështirë të mbivlerësohen", tha Kirill Tanajev. Qendër kryesore për realizimin e projekteve të tilla në Rusi do të bëhet "qyteza shkecore" në Skolkovo. Ky është një nga projektet më të rëndësishëm të Dimitri Medvedievit në sferën e inovacioneve dhe modernizimit. Në qytezën shkencore të tipit të ri, sipas idesë së Presidentit, shkencëtarët rusë dhe të huaj do të përpunojnë projekte inovative, ndër të tjera mbi bazë të nanoteknologjive. Mbi dëshirën e vet për të bashkëpunuar me qytezën shkencore Skolkovo deklaruan gjithashtu kompani të tilla të mëdha si Siemens, Phillips dhe Cisco. Tani me to do të bashkohen edhe sipërmarrësit zviceranë.