Në ekranët e gjerë në mbarë botën po lançohet shfaqja e serisë së filmave vizatimorë me titull "99". Në këta filma 99 personazhe luftojnë kundër terrorizmit, kriminalitetit dhe u vijnë në ndihmë njerëzve të thjeshtë në gjithë botën.  Përveç heronjve Batman dhe Superman në to veprojnë edhe personazhe myslimanë të tillë si Jalij, Jabbar, doktor Ramsay, Nura e shumë të tjerë... Ja se ç'tregon për to vëzhguesi ynë Pjotër Iskenderov. Inspirues i projektit në fjalë është botuesi i njohur, filozofi dhe psikologu nga Kuvajti Naif al-Mustawa. Në intervistën e vet dhënë kompanisë televizive amerikane CNN ai pranoi, se për të ndërmarë këtë hap atë e shtyu konceptimi i akteve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA dhe rritja e radikalizmit islamik. Shumë imamë në ditët tona, sipas fjalëve të tij, i shtyjnë besimtarët e tyre "për të ushtruar gjenocid ndaj atyre të cilët ata i kanë shpallur armiq" duke u përpjekur në këtë mënyrë ti atribuojnë vetes rolin e "Allahut dhe Gjyqit të Lartë (të Perëndisë)". Me synimin për të kapërcyer përçarjen ekzistuese aktuale midis myslimanëve dhe të krishterëve, në radhë të parë, amerikanëve - dhe e argumentoi projektin e vet  Naif al-Mustawa. Me të u pajtua plotësisht edhe partneri amerikan i botuesit kuvajtian, Presidenti dhe botuesi i kompanisë "DC Comiks" Paul Levitz. Është mjaft interesant fakti, se midis 99 superheronjve të filmave vizatimorë shumica janë myslimanë. Sipas Kuranit, Allahu ka 99 emra - dhe pikërisht po kaq gurë magjikë, zotëruesit e të cilëve bëhen superheronj. Kështu që ky nuk është megjithatë projekt i krishtero-mysliman, por më tepër produk islamik me elemente amerikane. Në Evropë nuk është harruar ende skandali që plasi në vitin 2006 me karikaturat e Profetit Muhammed të publikuara në gazetën daneze "Jullands - Posten". Atëhere autoritetet e Danimarkës dhe shteteve të tjera evropiane i justifikuan autorët dhe botuesit duke u referuar tek "liria e fjalës", gjë kjo që shkaktoi reagimin e kundërpërgjigjes nga ana e përfaqësuesve të botës myslimane, të cilët shpartalluan ambasadat e shteteve perëndimore. Sigurisht, doktor Ramsay i veshur me kostum klasik dhe bukuroshja flokëzezë Nura nuk kanë asgjë të përbashkët me fundamentalistët islamikë, të cilëve ua kanë kaq shumë frikën në vendet evropiane. Por ndjesia e ekspansionit të vlerave myslimane është prezente megjithatë. Marrëdhëniet e ndërsjellta ndërkulturore - ky është një nga problemet më kryesore të Evropës bashkëkohore, mendon Drejtuesi i Qendrës së studimeve gjermane të Institutit të Evropës të Akademisë së Shkencave të Rusisë Vlladisllav Bjellov. "Por sido që të jetë puna në të vërtetë mbetet pyetja, se në ç'masë do të gjejnë përhapje në vetë Evropë këta filma vizatimorë, ç'vend do të zenë në mjetet e informimit masiv. Dhe, në përgjithësi, duhet thënë, se sfera ndërkulturore, menazhimi ndërkulturor është një tematikë e ndërlikuar dhe ajo po diskutohet tashmë në Evropë. Mendoj, se në këtë rast mund të ketë reagime pozitive ndaj tentativave për pajtimin e dy kulturave. Por problemi kryesor këtu konsiston në atë, se si të ingranohet, si të integrohet kjo apo ajo kulturë në kulturën dominuese. Dhe ky problem, sigurisht, që nuk mund të zgjidhet me anë të filmave vizatimorë", mendon eksperti. Ndërsa kjo do të thotë se vetë problemi - nëse është vallë e gatshme jo vetëm shoqëria amerikane, por edhe ajo evropiane për të bërë aleatë të vet superheronjtë myslimanë - tani për tani vazhdon të mbetet i hapur.