Baza unike e vullnetarëve që u vijnë në ndihmë njerëzve në situata emergjente mund të duket në një kohë të afërt në Rusi. Banka të tilla me të dhënat e vullnetarëve ekzistojnë tashmë më shumë vende të botës. Në Rusi, ku numri i vullnetarëve vlerësohet në disa miliona vetë, krijimi i një liste të tillë është nevojë, domosdoshmëri urgjente, shprehet me bindje të plotë Presidentja e Qendrës së zhvillimit të aktivitetit vullnetar Galina Bodrenkova dhe shton, se baza mbarëruse do të përmbajë të dhënat mbi njerëzit që janë të gatshëm të ndihmojnë në mënyrë profesionale në çfarëdolloj situatash emergjente. Kjo bazë do të përmbajë jo vetëm listën e profesionistëve, por edhe të dhënat e nevojshme për ata që do të duan të trajnohet për të dhënë ndihmë në nivel profesional gjatë fatkeqësive natyrore. Siç tregoi përvoja e paradokohshme e luftës kundër zjarreve, në Rusi ekziston jo vetëm një numër i madh personash që shprehin dëshirën të mbledhin veshje, të seleksionojnë produktet dhe të shpërndajnë ndihmat humanitare në rajonet e dëmtuara, por edhe të tillë të cilët synojnë të luftojnë aktivisht kundër fatkeqësive të natyrës. Kështu, në shuarjen e zjarreve në gusht morrën pjesë afërsisht 4000 vullnetarë. Shumë prej tyre punuan për herë të parë me teknikë të posaçme, duke përvetësuar abc-në e profesionalizmit në vendin e ngjarjes. Për këto vitet e fundit lëvizja e vullnetarëve është rinuar në mënyrë të ndjeshme në Rusi, tregon më tej Galina Bodrenkova. "Çdo vit Qendra jonë së bashku me organizatat e tjera të vullnetarëve të Rusisë po realizon në jetë të ashtuquajturat "Javë të të mirave". Për shembull, këtë vit në Javën e të mirave morrën pjesë rreth 1 milion e 600 mijë veta, 80% e të cilëve ishin rinj. Ndërsa po ti krahasojmë këto të dhëna me ato të viteve të kaluara duket fare qartë, se aktivizimi i rinisë është rritur në mënyrë të ndjeshme këto kohët e fundit. Në qoftë se 10 vjet më parë të rinjtë vullnetarë numëronin jo më tepër se 10 mijë veta, aktualisht ata përbëjnë rreth 1 milion". Në një kohë të afërt ndihma e vullnetarëve do të jetë thjesht e domosdoshme, dhe bile e pazëvendësueshme në vendin tonë, vazhdon Galina Bodrenkova. "Shumë shpejt në Rusi do të zhvillohen disa aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare, në të cilat vullnetarët do të jenë, thjesht, të domosdoshëm. Ndër to mund të përmendim: samitin e Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të vendeve të rajonit Aziatiko-OqeanoPaqësor, Universiadën në Tartarstan, si dhe, sigurisht, Lojrat Olimpike Dimërore në vitin 2014 në Soçi. Kështu që pritet një punë e madhe dhe aktiviteti i vullnetarëve do të jetë tejet aktual", konkludoi Galina Bodrenkova. Që tani në site me adresë http://www.jaba.ru/ të Ministrisë së sportit, turizmit dhe politikës së rinisë të Federatës Ruse në kuadrin e realizimit të politikës shtetërore për rininë po krijohet baza provë mbarëruse e të dhënave të vullnetarëve të rinj.