0Dita evropiane e kujtimit të viktimave të stalinizmit dhe nazizmit përkujtohet më 23 gusht. Zgjedhja e datës kushtëzohet me faktin se më 23 gusht të vitit 1939 Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania  nënshkruan Paktin e mossulmimit, i cili mori emrin e Paktit Molotov-Ribbentrop. Këtij dokumenti iu bashkangjit edhe protokolli sekret, në përputhje me të cilin Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik, në fakt, ndanin midis tyre territorin e Evropës Lindore. Në vitin 2008 më tepër se 400 anëtarë të Parlamentit Evropian nënshkruan deklaratën, në të cilën propozonin shpalljen e 23 gushtit si Ditë të kujtimit të viktimave të stalinizmit dhe nazizmit në emër të ruajtjes së kujtimit të viktimave të deportimeve dhe ekzekutimeve në masë. Në vitin 2009 deklarata u miratua nga Parlamenti Evropian.