Sipas mendimit të zjarrëfikësve të huaj që mbërritën në ndihmë të kolegëve rusë në lidhje me katastofën natyrore në Rusi, pavarësisht nga fakti se gjendja e punëve paraqitet mjaft serioze ata po arrijnë megjithatë t'ia dalin punës mbanë me detyrat e shtruara përpara vetes. Batalioni special i zjarrëfikësve polakë në përbërjen e të cilit hyjnë 155 shpëtues mbërriti në zonën e përfshirë nga zjarret nën Riazan. Ja se ç'tregoi për radiokompaninë "Zëri i Rusisë" Zv/komandanti i këtij batalioni Marcin Kendra: "Me të ardhur në vend ne ndërmorrën hetimin e hollësishëm të territorit të përfshirë nga zjarri. Mbrëmë natën neve na u caktua, si i thonë fjalës, "fronti i mbrojtjes" dhe filloi operacioni për shuarjen e zjarreve. Gjendja paraqitet tejet serioze, zjarret kanë përfshirë një territor shumë të madh. Po ne jemi profesionistë dhe jemi mësuar me gjithçka dhe shprehim gatishmërinë për plotësimin e suksesshëm dhe, shpresojmë, të sigurt, të detyrës që na është besuar", tha Marcin Kenda.

 - Edhe një pyetje tjetër: Cili është reagimi i autoriteteve lokale dhe banorëve vendas ndaj ardhjes së zjarrëfikësve polakë në tokën e Riazanit?

 "Autoritetet vendore na janë shumë mirënjohës ne për ardhjen dhe pjesëmarrjen në shuarjen e zjarreve. Reagimi i tyre është tej mase emocional. Ne ndjejmë ndihmën e tyre në gjithçka. Kjo ka të bëjë edhe me furnizimin me ujë, sigurimin me karburant, këmbimin e informacionit, përvojës. Kështu që mund të them me plot gojën se kontaktet e vendosura midis nesh janë të mira", tha Marcin Kenda

Në shuarjen e zjarreve pyjore dhe ato të torfeve në Rusi merr pjesë edhe një njësi shpëtuesish nga Bullgaria. Ja se ç'deklaroi në intervistën ekskluzive dhënë për "Zërin e Rusisë" njëri prej drejtuesve të Shërbimit të zjarrfikësve Kalin Buçkov: "Grupi i përbërë prej 95 zjarrëfikësve bullgarë merr pjesë në shuarjen e zjarreve në qarkun e Moskës. Tani për tani ata po ia dalin mbanë me sukses detyrës që u është ngarkuar dhe po e frenojnë përhapjen e zjarrit në pikat e banimit. Për zjarrëfikësit bullgarë janë krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për jetesë", tha Kalin Buçkov. Për shuarjen e zjarreve pyjore në Rusi mbërriti edhe aeroplani francez - bombarduesi ujor Dash-8. Më 10 gusht aviatorët francezë u njohën fillimisht me situatën dhe ia hynë menjëherë punës në qarkun e Njizhegorodskut. Me aeroplanin Dash-8 punojnë dy ekuipazhe. Çdo ekuipazh përbëhet nga piloti, piloti i dytë dhe mekaniku i bordit. Ekuipazhet mund të ndërrojnë njëri-tjetrin dhe rrjedhimisht të mos ndërpresin punën. Aeroplani është i aftë gjatë një rruge (fluturimi) të hedhë mbi zjarret 10 tonë ujë. Gjermania gjithashtu shprehu gatishmërinë e vet për të dërguar në rajonet e prekura nga zjarret spitale modile, medikamente, teknikë speciale për shuarjen e zjarreve dhe aparate për sigurimin e popullsisë me ujë të pijshëm.