"Lev Tolstoi dhe kultura botërore"- kështu quhet konferenca shkencore ndërkombëtare që u hap në çifligun e familjes së shkrimtarit të madh rus "Jasnaja Poljana". Nga 14 vende të botës për pjesëmarrje në të kanë ardhur shkencëtarë, studiues të krijimtarisë së Tolstoit. Gjatë gjithë vitit 2010 Muzeu-çiflig "Jasnaja Poljana" po zhvillon një cikël aktivitetesh kushtuar 100 vjetorit të vdekjes së Lev Tolstoit. Dhe konferenca shkencore është një ndër aktivitetet më të rëndësishme. Ajo i ndihmon njerëzit e kombësive dhe besimeve të ndryshme fetare të hyjnë në njëfarë dialogu me klasikun rus, vuri në dukje Drejtori i Muzeut-çiflig "Jasnaja Poljana", stërnipi i shkrimtarit Vladimir Tolstoi. Dhe shtoi në lidhje me datën memoriale si vijon: "Ne e quajmë këtë jo datë të vdekjes, jo datë të largimit nga jeta të Tolstoit, por 100-vjetor të kujtimit të Tolstoit. Njerëz të tillë si Tolstoi nuk vdesin kurrë në kujtesën e njerëzimit, ata vazhdojnë të jetojnë me librat e tyre. Prandaj, duke u shprehur në mënyrë të figurshme, ky është 100-vjetori nga momenti i kalimit të Tolstoit në pavdekësi, në përjetësi. Tani, - vazhdon më tej Vladimir Tolstoi, - po vërehet shpërthimi i një valë të re të fuqishme të përkthimit të veprave të Tolstoit në të gjitha gjuhët kryesore të botës. Ndërsa kjo do të thotë se Tolstoi është sërish i kërkuar në mënyrë të re në fillim të shekullit të XXI-të. Ndoshta shoqëria tani ka nevojë për një qëndrim të shëndoshë ndaj jetës, i cili është kaq karakteristik për Tolstoin. Shoqërisë, me sa duket, po i shfaqet dëshira, pikësynimi për vepra të mira, për të dhuruar mirësi, për vetëpërsosje", thotë Vladimir Tolstoi. Shumë vlerave tradicionale, që predikoheshin dhe mbroheshin me stoicizëm nga Lev Tolstoi, sërish po u rikthehet rëndësia, ato po fitojnë aktualitet, mendon Vladimir Tolstoi. Për shembull, familja, përgjegjësia e njerëzve që jetojnë të lidhur me martesë përpara njëri-tjetrit, përpara fëmijëve të tyre. Në çerekun e fundit të shekullit të XIX-të, kur Tolstoi kishte në dorë romanin "Anna Karenina", qytetërimi evropian po avanconte drejt rrugës së mohimit, përdhosjes së vlerave morale, të cilat, siç dukej në vështrimtë parë, prangosnin lirinë e njeriut. Heroina e Tolstoit në vend të detyrimit familjar preferoi lumturinë egoiste personale. Dhe autori i romanit nuk shikon për një grua të tillë kurrgjë tjetër veçse fundit tragjik e të dhunshëm. Deri tani studiuesit përpiqen të gjejnë në veprat e Lev Tolstoit përgjigje për çështjet më akute, më nevralgjike të jetës bashkëkohore, komfirmon Vladimit Tolstoi. Për shembull, Gérard Abensur nga Franca zgjodhi novelën "Haxhi Murat" të shkruar nga Tolstoi - pjesëmarrësi real i fushatave koloniale të carit në Kaukazin e Veriut. Abensur përpiqet të krahasojë ngjarjet e atyre fushatave ushtarake me ngjarjet e paradokohshme të operacioneve antiterroriste në Çeçeni. Sigurisht, në konferencë janë paraqitur jo pak referate më tradicionale që studiojnë, para së gjithash, shkëmbimet letrare midis Tolstoit dhe kolegëve të tij të huaj. Kështu, Irina Paperno nga SHBA ia kushton punën e vet lidhjeve të Tolstoit dhe Jean-Jacques Rousseau. Tolstoi, sipas pohimit të vetë atij, mbante të varur në qafë medalionin me portretin e Jean-Jacques Rousseau dhe e adhuronte pa masë mendimtarin francez. Kurse studiuesi nga Belgjika Michael Sanfi analizon ndikimin e Tolstoit në mentalitetin e modernistëve të shekullit të XX-të James Joyce e Samuel Beckett.