Ç'gatime preferonin liderët partiakë sovjetikë dhe ç'kuzhinë parapëlqejnë personat e parë aktualë të vendit? Sekretet e kuzhinës kremliniane i zbuloi Kryekuzhinieri i saj Anatoli Gallkin në veprën e vet "Libri mbi kuzhinën e shijshme kremliniane", e cila po përgatitet për botim në Moskë. Në të janë paraqitur më tepër se 100 receta. Anatoli Gallkin thotë se asgjë të ndërlikuar nuk ka në to, prandaj me përgatitjen e çdo gjelle të përshkruar në këtë libër mund të merret çdo njeri që dëshiron. Gjatë përcaktimit të profesionit të vet të ardhshëm Anatoli Gallkin nuk ndoqi gjurmët e babait të vet ushtarak, por të gjyshes, e cila pat punuar si kuzhiniere tek Stalini. Pas mbarimit të teknikumit të ushqimit social në moshën 20 vjeçare ai filloi të punojë si kuzhinier në Kremlin dhe që prej asaj kohe, tashme më shumë se 30 vjet, ai ushqen të parët e vendit. Anatoli Gallkin ka patur fatin të punojë dhe të takohet me personat e parë të Bashkimit Sovjetik, Rusisë dhe shumë vendeve të tjera huaja. Ndër ta kanë qenë Leonid Brezhnjevi, Mihaill Gorbaçovi, Boris Jelcini, Helmut Kol, Mbretëresha Elizabeth II, François Mitterrand, Margaret Thatcher, George Bush i ati dhe George W Bush. Periudhën nga mosha 7 vjeçare e deri në vitin 1991 Anatoli Gallkin e kaloi pranë Mihaill Gorbaçovit dhe e kujton me ngrohtësi e nostalgji atë kohë. Gorbaçovi nuk ishte gustator, qefli të ngrënash, thotë Anatoli Gallkin. Ai hante çdo gjë mbarë, hante vërtet çdo gjë që ti vije përpara vetëm se në porcione të vogla, nga pak, ndërsa pëlqente veçanërisht shumë kuzhinën gjeorgjiane. Tani personat e parë të shtetit tonë, - vazhdon tregimin e vet Anatoli Gallkin, - i kushtojnë rëndësi shëndetit, paraqitjes dhe dietës së tyre. Parapëlqejnë përdorimin e ushqimeve të ndara, preferojnë shumë perimet dhe përdorin pak yndyrë. Pijnë kryesisht verë të bardhë ose të kuqe. Në mesin e viteve 1990-të Anatoli Gallkin ka punuar në Ambasadën sovjetike në Londër. Ëmbëlsira që u servir pas buke nga ai Elizabeth II i pëlqeu kaq shumë Mbretëreshës së Britanisë së Madhe saqë ajo e falenderoi atë personalisht dhe i dhuroi një servis, takëm prej argjendi. Më pas Gallkin e patentoi ëmbëlsirën e sipërpërmendur në Rusi dhe e quajti "Ëmbëlsira për Elisabeth-ën". E mrekullueshme për nga shija e vet ajo është shumë fine dhe e thjeshtë për tu përgatitur. Ja receta e përgatitjes së saj: luleshtrydhet e freskëta mbushen me stika të qëruara pishe mbi të cilat hidhet një përzjerje prej lëngu luleshtrydheje konjaku. Ajo serviret me bukësheqere të thërrmueshme që kërcet në gojë. Në vapën e tanishme Kryekuzhinieri i Kremlinit Anatoli Gallkin propozon gatime të lehta të freskëta që edhe të ngopin, edhe të heqin etjen. Tani gjella që gëzon më tepër popullaritet në tryezën kremliniane është borshi i ftohtë (supë me panxhar dhe me zarzavate të tjera). Sipas recetës së Gallkinit për përgatitjen e tij duhet 400 gramë kvas-pije ruse e ngjashme me bozën dhe 400 gramë lëng panxhari të kuq, 1 kokërr panxhari e madhësisë së mesme, një tufë jo e madhe qepësh të njoma, majdanoz dhe kopër, 3 vezë të zjera, 3 kastraveca të freskët dhe 3 kokrra rrepe (rrikë). Kokrra e panxharit të freskët zihen me pak ujë të zjarr të ngadalshëm 1 orë. 20 minuta para se të ziejë atij i shtohen gjethet e freskëta të panxharit. Më pas lëngu kullohet, kurse gjethet panxharit hidhen. Bashkohet lëngu i përftuar me kvasin në proporcione 1 me 1. Më tej i hidhet brenda panxhari i prerë rripa-rripa të hollë, kastarvecat, rrepat, vezët dhe qepa e freskët, të gjitha këto të grira imët. Smetana (ajkë, mazë qumështi pak e thartë), kripa dhe piperi i zi i shtohen në pjatë sipas shijes e qefit.