"Suita lirike" dedikuar Francës u paraqit nga piktorët e rinj rusë në ekspozitën që u hap në Akademinë Ruse të Arteve në Moskë. Në këtë ekspozitë janë paraqitur 200 punë dhe, mund të thuhet me plot gojën, se ato janë vetëm një pjesë fare e vogël e përshtypjeve impresionuese nga Franca të hedhura në telajo. Tabllotë janë punë të piktorëve të rinj, por që tashmë kanë shpallur me zë të lartë mbi mjeshtërinë e vet. Njëri prej tyre është Nikita Makarov. Temë më e preferuar e tij janë periferitë e qeta të Parisit, qoshet piktoreske në jug të Francës, monumentet e arkitekturës në Normandi, Bretanjë. Piktorja Irina Skaçkova parapëlqen të hedhë në telajo Parisin, veçanërisht në stinën e dimrit. Seria e tabllove të saj "Parisi. Kopshtet e Tuilerisë" i kushtohet skulpturave të Aristide Maillol. Në dimër, në orët mëngjesore të paraagimit, këto statuja sikur marrin jetë, konfirmon Irina. "Në tabllonë "Mbrëmja në rozë" unë u përpoqa të paraqes njëfarë loje magjike. Ja dy femra - dy skulptura. Njërës prej tyre drita e perëndimit i bie fasha-fasha mbi gjoks, kurse tjetrës mbi kapelë. Ato sikur janë  veshur të tëra në rozë dhe u ngjallën në këtë park të mrekullueshëm. Kjo është njëfarëlloj loje e reales dhe ireales", thotë Irina Skaçkova. Ndërsa Daniill Çepik-un më tepër e tërheqin parisianët e zakonshëm, fatet e tyre, preokupimet, ndjenjat. Tablloja e tij e madhe "Sheshi Tertre" paraqet në vetvete një galeri të tërë portretesh të artistëve të rrugës - banorëve të Montmartre. "Kur sheh punët e këtyre piktorëve fillimisht të lind ndjesia të shprehesh - si mund të vizatohet në këtë mënyrë! - tha Daniill Çepik. Por sa më shumë që jeton midis tyre, aq më mirë fillon ti kuptosh këta njerëz, punët e tyre. Parisi është një qytet i habitshëm, me katedrale të jashtëzakonshme, me muzeume, sheshe të mrekullueshme. Me të bie në dashuri menjëherë sapo e sheh", tha ai. Në Francë aktualisht mund të shkojë çdo qytetar rus. Por për piktorin ai vazhdon të mbetet gjithmonë një vend joshës - ëndërr, vend misterioz.