Afërsisht 10 vjet më parë Bashkimi Evropian inicioi idenë e shtrimit të tubacionit të ri gazjellës me emrin ekzotik "Nabucco", nëpërmjet të cilit gazi natyror aty nga viti 2014 duhet të pompohet nga Azia deri në Bullgari, Rumani, Hungari, Austri, Çeki dhe Gjermani me anashkalim të territorit të Rusisë. Gjatësia e këtij tubacioni është 3.300 kilometra. Kosto e përafërt e projektit është parashikuar me shumën 7,9 miliardë euro. Që nga 1 gushti hyn në fuqi marrëveshja Ndërqeveritare e BE për ndërtimin e "Nabucco-s". Mos do të thotë vallë kjo se argumentimi teknik i projektit është plotësisht i gatshëm dhe se mund t'ia hyhet tani punës për realizimin e tij praktik në jetë? Me këtë pyetje ne iu drejtuam Drejtorit të Qendrës moskovite të studimeve evropiane, professor Timofei Bordaçov-it. "- Projekti në fjalë, - thotë ai, - megjithëse dhe ndodhet që prej kohësh në fazën e promovimit, nuk ka bazë reale as përkatësisht planit të investimeve që nevojiten për të, dhe as në planin e burimeve të furnizimit me gaz, që do të pompohet nëpërmjet këtij tubacioni. "Nabukko" është një nga krijesat më të dashura, më të preferuara të Komisionit Evropian në Bruksel. Në radhë të parë, fjalë bëhet në këtë rast për forcimin e pozitave të BE në negociatat me Rusinë. Ndërsa Marrëveshja Ndërqeveritare, me sa duket nga të gjitha, është shprehje e mbështetjes së përgjithshme të këtij projekti. Tani pritet vetëm që të thotë fjalën e vet biznesi, meqenëse investime shtetërore nuk parashikohen në të", thotë Timofei Bordaçov. Por biznesi nuk nxiton me investimin e mjeteve të veta në këtë projekt, sepse ka si shumë paqartësi dhe rreziqe të paparashikuara në të. Fillimisht projekti i gazsjellësit "Nabucco" u përpunua me marrjen parasysh të shfrytëzimit të rezervave jashtëzakonisht të mëdha të gazit natyror të Republikës Islamike të Iranit. Por më pas në ekonomi u përzie, ndërhyri politika: marrëdhëniet e Teheranit me komunitetin ndërkombëtar u keqësuan në mënyrë të theksuar. Tani kundër këtij vendi janë vendosur sanksione të rrepta. Pas kësaj përpunuesve të gazsjellësit "Nabukko" iu desh të riorientohen urgjentisht nga vende të tjera furnizuese të gazit: Azerbajxhani dhe Turkmenistani. Por në këtë rast ekzistojnë, si minimum, dy probleme serioze. Së pari, rezervat e gazit në Azerbajxhan dhe Turkmenistan nuk janë aq të mëdha sa të mund të mbulojnë plotësisht kërkesat e tubacionit "Nabucco". Së dyti, në qoftë se vendet e BE duan të marrin gaz nga Turkmenistani i largët me anashkalim të territorit të Rusisë, atëhere atyre do tu duhet ta shtrojnë tubacionin nëpër fundin e Detit Kaspik. Kurse statusi i tij nuk është përcaktuar sanksionuar ende. Pa këtë është e pamundur të zhvillohen ndofarë punimesh teknike në fundin e Kaspikut. Ekzistojnë gjithashtu edhe planet e marrjes së gazit natyror nga Irani nëpërmjet Turqisë, por kjo çështje nuk është përpunuar deri në fund. Ndërsa biznesmenët nuk preferojnë ti japin aspak paratë e veta në formë investimesh, si i thonë fjalës, për projekte të "papërpunuara, akoma bruto", thotë Timofei Bordaçov. Po a mund të plasë ideja e realizimit të projektit "Nabucco" si flluskë sapuni?  "- Unë mendoj se kjo ide nuk do të plasë si flluskë sapuni. Jam i prirur të parashikoj se ajo do të jetojë në regjim zvarrisje të ngadalshme edhe 10 vjet të tjera. Ndërtim real të tij nuk do të ketë, nuk parashikohen edhe investime reale në të, por pavarësisht nga të gjitha këto projekti do të vazhdojë të diskutohet gjatë...". Sipas mendimit të Timofei Bordaçovit, afatet e realizimit të projektit "Nabucco", me sa duket nga të gjitha, do të shtyhen jo një herë. Por BE nuk do të heqë dorë aq lehtë megjithatë nga realizimi i kësaj ideje, sepse ajo ka për Brukselin, në radhë të parë, rëndësi politike. Formula është e thjeshtë: me anashkalim të territorit të Rusisë. Vetë faktin, se ekzistojnë projekte të tjera me shkallë të lartë gatishmërie teknike dhe investuese, për shembull gazsjellësi "South Stream", në Evropë, thjesht, nuk duan ta vënë re", konkludon bashkëbiseduesi i radiokompanisë "Zëri i Rusisë", Drejtori i Qendrës moskovite të studimeve evropiane, professor Timofei Bordaçov.