Lufta për sigurimin e ujit mund të shpërthejë në planet në një të ardhme fare të afërt. Rezervat e ujit të pastër, natyral në planetin Tokë po vijnë duke shterruar; numri i vendeve dhe territoreve ku uji është bërë deficitar po vjen duke u rritur vazhdimisht. Gjithë seriozitetin e situatës së krijuar e percepton shumica e anëtarëve të komunitetit ndërkombëtar. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën, e cila përforcon në mënyrë juridike të drejtën e njeriut për ujë të pastër. Uji është substanca më e përhapur në planetin Tokë. Ky është një fakt i njohur për të gjithë. Por, ç'është për të ardhur keq, jo i gjithë ai është i përshtatshëm për tu pirë. Sipas të dhënave të mjekëve, në botë për shkak të sëmundjeve të lidhura me përdorimin e ujit të papastër, çdo vit në botë vdesin 2 milionë banorë. Në shumë vende të Azisë dhe Afrikës uji i pastër, në kuptimin e plotë të fjalës, është i barazvlefshëm me arin, në një kohë kur shtete të tjera disponojnë burime të mëdha të tij. Dhe lufta për zotërimin e rezervave ujore tashmë ka filluar që prej kohësh, vërtet, tani për tani, vetëm në mënyrë verbale. Këtë të vërtetë e komfirmoi ai fakt, se rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e mbështetën jo të gjitha vendet. Delegacionet e 41 shteteve, përfshirë këtu atë të Kanadasë, SHBA, Britanisë së Madhe dhe Australisë, gjatë votimit abstenuan. Lufta për ujin do të vijë duke u ashpërsuar gjithnjë e më shumë, shprehet me bindje të plotë hidrogjeologu rus Igor Davidenko: "Në vitin 2002 akademiku rus Leonid Adallkin në një nga librat e vet u shpreh troç, pa doreza, se në botë ekzistojnë rreth 2 mijë vende, ku me kalimin e kohës do të fillojnë luftrat për shkak të zotërimit të ujit të pastër, të pijshëm. Ky parashikim, në fakt, nuk i bëri askujt ndonjë përshtypje të madhe. Ndërsa në të vërtetë luftrat për sigurimin e ujit të pastër janë zhvilluar që prej kohësh dhe po zhvillohen edhe sot e kësaj dite. Uji aktualisht është i pamjaftueshëm në botë. Për shembull, Afrika me 12% të gjithë popullsisë së botës në territorin e vet disponon vetëm 1% të të gjitha rezervave të ujit të pijshëm. Ish republikat e Azisë së Mesme praktikisht po zhvillojnë një luftë të qetë për shkak të ujit. Sepse shtetet "malore" mund ti lejojnë vetes ndërtimin e hidrocentraleve dhe të frenojnë rrjedhjen e ujit, i cili nuk arrin pas kësaj në vendet e vendosura gjeografikisht në rrafshina. Më parë të gjitha këto probleme zgjidheshin brenda kufijve të një shteti të vetëm - Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike. Po ç'konflikte ka patur për shkak të ujërave të lumenjve Tigër dhe Eufrat midis Turqisë dhe Irakut? Atje janë zhvilluar luftra të vërteta, tha hidrogjeologu rus Igor Davidenko. Komuniteti ndërkombëtar po kërkon tashmë që prej kohësh rrugëdaljen nga situata e krijuar me pamjaftueshmërinë e ujit të pastër, të pijshëm. Shkencëtarët propozojnë shumë metoda dhe, me që ra fjala, ata do të kenë mundësi ti diskutojnë ato edhe në forumin ndërkombëtar "Uji i pastër-2010", i cili do të mbahet këtë vit në Moskë.