Rreth 35 mijë vullnetarë do të marrin pjesë në përgatitjen dhe zhvillimin e Lojrave Olimpike të vitit 2014 në Soçi. Vullnetar olimpik mund të bëhet çdo banor i Rusisë që e ka mbushur moshën e pjekurisë dhe gjithë të tjerët pa kurrfarë kufizimi moshor. Që tani të gjithë ata që dëshirojnë mund të hyjnë në site e Komitetit Organizativ të Olimpiadës dhe të marrin informacionin e nevojshëm. Kurse në një kohë të afërt planifikohet hapja e Qendrës Ndërkombëtare të Vullnetarëve: Soçi fton ndihmës-vullnetarë edhe nga vende të tjera. Përgatitja për evenimentin kryesor sportiv të vitit 2014 ndodhet në kulmin e vet. Duhet jo vetëm që të dorëzohen në kohë objektet sportive, të ndërtohen hotele të reja dhe të riparohen rrugët. Është shumë e rëndësishme që të përzgjidhen dhe të instruktohen njerëzit, të cilët do të punojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me mysafirët dhe pjesëmarrësit e Lojrave. Dhe këtu nuk mund të bëhet kurrsesi pa punën e vullnetarëve. "Njeriu i parë, që do të presë sportistët pjesëmarrës të Olimpiadës në aeropot, është pikërisht vullnetari. Dhe nga ajo se ç'përshtypje do tu krijohet sportistëve, varet edhe suksesi i Lojrave", - thotë Shefi i Departamentit të politikës së rinisë të administratës së qytetit Soçi Andrei Bezrodnov: "Sigurisht që ne e kuptojmë për mrekulli se Olimpiada do të zhvillohet në vitin 2014. Por përpara kësaj duhet të zhvillohen aktivitete testuese në lidhje me të gjitha llojet e sporteve. Prandaj një numër i madh vullnetarësh neve do të na duhet tashmë që këtë vit. Në dhjetor të 2010 do të zhvillohen garat e skive në shpatet dhe pistat malore të rrëshqitjes. Ndërsa duke filluar që nga shkurti i vitit 2011, praktikisht, çdo muaj do të zhvillohen aktivitete të mëdha sportive. Prandaj 300 vetat që kemi ne aktualisht, duket qartë, se janë krejtësisht të pamjaftueshëm. Ne planifikojmë që deri në fund të këtij viti të përgatisim rreth 1000 të rinj e të reja, të cilët do të jenë, si i thonë fjalës, "hallka modile". Sipas fjalëve të organizatorëve të Olimpiadës Dimërore të vitit 2014, vullnetarëve do tu sigurohet udhëtimi falas deri në vendin e punës, ushqimi falas dhe atributika e nevojshme olimpike. Ndërsa me banesë vullnetarët do të duhet ta sigurojnë vetë veten. E tillë është praktika ndërkombëtare. Puna kryesore për tërheqjen, ingranimi e të rinjve e të rejave vullnetarë do të fillojë në viti 2012.