0Bari Alibasov. Producent muzikor dhe showman. Njëri prej personazheve më të preferuar të kronikës së jetës mondane në Rusi. Arritjet e tij kryesore në jetë janë krijimi i rock grupit «Интервал» ("Interval"), që u duk në Bashkimin Sovjetik në fund të viteve 60-të, si dhe marrja nën tutori si producent e pop-grupit «На-На» ("Na-Na"), i cili në vitet 90-të ka fituar shumë herë çmimin e prestigjshëm muzikor rus "Ovacia".

Ky njeri me fizionomi të qeshur e mjaft ironike dhe me aparencë orientale është tej mase ekstravagand. Në publik ai jo rrallëherë bën rolin e hokatarit, gaztorit. Në pranverë të këtij viti Bari Alibasov për shaka organizoi provën gjenerale të ceremonisë së vet funerale.

Lindi ai në vitin 1947 në fshatin Çarskoje të Kazakistanit. Babai i tij ishte kozak, ndërsa e ëma tartare. Para pak kohësh ai arriti të ngrejë një çështje të paprecedentshme gjyqësore ndaj blogerit që e quajti Alibasovin "gastarbeiter tartaro-kozak" (fjala gastarbeiter përkthehet fjalë për fjalë nga gjermanishtja si gast+arbeiter (mysafir-punëtor - punëtor i huaj i pajtuar në punë). Me vendim gjyqi i padituri u obligua ti paguajë një kompensim rekord, sipas standardeve ruse, për shkaktim dëmi moral Alibasovit prej më tepër se 35 mijë dollarësh amerikanë.

Familja e Bari Alibasovit ishte me shumë fëmijë, por jo e varfër. Babai dhe nëna punonin, në shtëpi kishin shërbëtore, guvernante, por pavarësisht nga kjo të gjithë fëmijët kishin detyrimet e veta për përkujdesjen ndaj kafshëve shtëpiake dhe kopshtit. Bari kujton, se që prej asaj kohe i urren punët e shtëpisë. Jeta përreth ishte e mbushur plot kriminalitet, por Alibasov ishte tepër i dhënë dhe i talentuar në kërcime dhe për këtë arsye gëzonte nderim e respekt.

Në vitet 70-të ai e mbante veten për hippies, por me kalimin e kohës e humbi interesim ndaj pjesëtarëve të këtij grupimi joformal. Me rock grupin «Интервал» ("Interval") i ra kryq e tërthor me turne gjithë Bashkimit Sovjetik. Njeh për mrekulli jetën nomade, ka një kaleidoskop të pasur qytetesh e adhuruesesh. Me kalimin e kohës këtë përvojë ai e përsëriti edhe me pop grupin «На-На» ("Na-Na"). Ai është një administrator i rreptë, në mënyrë rigoroze planifikon jetën e anëtarët e grupit muzikor të marrë nën kujdestari nga ai.

Bari Alibasov është martuar disa herë, por asnjë nga këto martesa nuk ka qenë jetëgjatë. Vetëm me të venë e shkrimtarit të njohur rus Vasili Shukshin, aktoren Ljudov Fedosejeva-n ai bashkëjetoi 4 vjet dhe ka ruajtur me të marrëdhënie mirëbesimi pas ndarjes. Në një nga martesat e veta të para ai ka një djalë, të cilit i dha emrin e vet - Bari.

Bari Alibasov merret në mënyrë profesionale me artin fotografik si dhe xhiron filma me porosi të koncernit "Gazprom" pa e afishuar emrin e vet në to.

Këto vitet e fundit 63 vjeçari Bari Alibasov po vjen duke e pozicionuar veten gjithnjë e më shumë si filozof popullor. Koncepti që ka ai për botën, i bazuar në leximin e librave të historisë së feve, është plot kontradikta, kundërshti, por ndërtohet mbi pranimin e padiskutueshëm të gjithçkaje që ka ndodhur në historinë e njerëzimit.

"Historia nuk bën gabime", - thotë ai. - Historia jep mësime. Detyra jonë është të mos i lëmë pa i vënë veshin këtyre mësimeve".