Hetimi i katastrofës, që ndodhi me aeroplanin presidencial polak nën Smolensk dhe që morri jetën e Presidentit të Polonisë Lech Kaczynski si dhe të 95 personave të tjerë, po evidenton detaje e hollësi të tjera. Mjetet polake të informimit masiv njoftuan, se mbi pilotët e aeroplanit mund të jetë ushtruar presion. Siç u bë e qartë, disa minuta para se të ndodhte tragjedia në kabinën e pilotëve tingëlloi një frazë e tillë: se në qoftë se aeroplani nuk do të ulet në Smolensk pilotët mund të kenë probleme. Sipas një versioni, fraza mund ti përkasë kapitenit të aeroplanit Arkadiush Protasyuk. Bile më tepër se kaq, mjetet polake të informimit masiv komfirmojnë, se ai u shpreh se atë do ta "vrasin" në qoftë se avioni nuk do të ulet. Të dhënat e reja thërthorazi vërtetojnë informacionin e publikuar më parë mbi atë, se pilotët u detyruan ti binden vullnetit të huaj dhe jo instruksionit të udhëzimeve të sigurisë. Kjo, si përfundim, dhe mund të ketë çuar në finalen dramatike. Bashkë me këtë organet zyrtare polake nuk e komentojnë informacionin në fjalë. Në prokurorinë ushtarake thonë se i mësuan hollësitë e reja që kanë të bëjnë me minutat e fundit të fluturimit të aeroplanit nga gazetarët. Në këto njoftime mund të ketë elemente manipulimi, mendon Kryeredaktori i revistës polake "Skrzydlata Polska" ("Polonia me krahë") Gzhegozh Sobçak (Grzegorz Sobczak). "Ky informacion nuk mbështetet nga dëshmi të besueshme.  Tjetër punë është ajo në qoftë se do të flasim për ekuipazhin. Ai e ka për detyrë të jetë i përgatitur dhe i instruktuar mirë. Komandant i një ekuipazhi të tillë duhet të jetë një pilot i aftë që në rast nevoje ti rezistojë, të mos i bindet udhëheqjes së vet të lartë në qoftë se merr nga ajo urdhëra që bien në kundërshtim me rregulloren e fluturimit. Veçanërisht kjo ka të bëjë me ekuipazhin e aeroplanit të kryetarit të shtetit. Në Smolensk ne patëm të bëjmë me situatën kur piloti u tërhoq, iu bind urdhërit të marrë. Ndërsa kjo do të thotë se diçka ishte lënë mangut në instruksionin, përgatitjen e tij", tha Gzhegozh Sobçak (Grzegorz Sobczak).

Ndërkohë rrethanat e tragjedisë, si dhe më parë, përpiqen ti shfrytëzojnë për qëllimet e veta oponentët politikë të ithtarëve të pajtimit të Varshavës dhe Moskës. Por pala ruse që në sekondat e para të tragjedisë bëri gjithçka të mundur për sqarimin e shkaqeve e rrethanave të tragjedisë, mendon politologu i njohur serb, koloneli i aviacionit në lirim Gostimir Popoviç. "Të gjithë specialistët, në të gjitha nivelet e pushtetit - që nga aerodromi në Smolensk e deri në Moskë - gjithçka e bënë në mënyrë shumë profesionale. Me këtë ata dhanë kontributin e vet në evidentimin e shkaqeve të kësaj katastrofe, meqenëse çdo katastrofë ajrore është mësim për të ardhmen. Edhe nga ana e Perëndimit, edhe nga ana e disa personave të lartë zyrtarë polakë që në fillim pati tentativa për ti dhënë tragjedisë ngjyrim politik, për t'ia hedhur gjithë fajin për katastrofën Rusisë. Në të gjitha procedurat - që nga momenti i pranimit të aeroplanit në hapësirën e  vet ajrore e deri në momentin e katastrofës - nga ana e Rusisë nuk pati as fshehtësi, as rezervim dhe as manipulime. "Kutitë e zeza" që vendosen në aeroplanët e modelit Tu-154 janë shumë të sigurta, kurse hetimi i katastrofës prej specialistëve rusë ishte praktikisht i pacen, pa të meta, theksoi Drejtori dhe bashkëpronari i kompanisë ajrore britanike për vënien në dispozicion të avionëve të biznes-klasit "Oxygen-4 Aviation" Mark Grin (Mark Green). "Sigurisht që fluturimet janë gjithmonë të mbarsura me rrezik. Por megjithatë jo më të madh se sa ai kur ju uleni në timonin e makinës. Përsa i përket hetimit dua të them, se unë mbeta i habitur, i impresionuar nga shpejtësia dhe efikasiteti me të cilin autoritetet mundën të deshifrojnë informacionin e "kutive të zeza " (aparaturave vetëregjistruese) të bordit. Unë jam mëse i bindur, se autoritetet ruse me përpikërinë dhe skrupolozitetin e duhur përpunuan informacionin e përftuar, duke përfshirë këtu edhe studimin e fragmenteve të mbetura të aeroplanit, të shpërndara në një territor shumë të madh", konkludoi Mark Grin (Mark Green). Miliona banorë të Rusisë dhe Polonisë mendojnë, se katastrofa nën Smolensk i bashkoi njerëzit dhe lejoi të flitet për hapjen e një faqeje të re në marrëdhëniet midis Mosës dhe Varshavës në të cilën nuk ka më vend për mëritë e vjetra.

 Faktori njeri

Të dhënat e reja që u publikuan në shtyp sjellin hollësi suplementare të tragjedisë që ndodhi në qiellin mbi Smolensk. Sa reale është një situatë e tillë dhe në se janë të mundura vallë incidente të kësaj natyre me pilotët e vendeve të tjera - këto pyetje ne ia drejtuam Pilotit kryesor të skuadronit të aviacionit qeveritar të Bullgarisë Todor Bojadzhiev në bisedën telefonike që zhvilluam me të. "Në Bullgari është e pamundur, në parim, të krijohet një situatë e tillë, meqenëse ne respektojmë rreptësisht të gjitha rregullat dhe normativat e caktuara gjatë kohës së fluturimit. Ekuipazhi është i mbyllur, plotësisht i izoluar nga personat që ndodhen në bord të çfarëdo rangu që të jenë pasagjerët - që nga Kryeministri e deri tek anëtarët e parlamentit. Të gjitha udhëzimet e shërbimeve të bazës që ndodhen në tokë plotësohen me rigorozitetin më të madh deri tek ulja në aerodromet rezervë dhe anulimi i fluturimit. Unë ndjek me vemendje të përqendruar ecurinë e hetimit të katastrofës që ndodhi me aeroplanin e Presidentit polak, njihem me konkluzionet e profesionistëve e specialistëve që po hetojnë këtë çështje. Me sa di unë, tani për tani nuk janë nxjerrë konkluzionet përfundimtare nga ana e komisioneve përkatëse. E qartë është vetëm një gjë, se aeroplani ishte në rregull. Për sa kohë që nuk është bërë publik protokoli zyrtar i hetimit të gjitha hamendjet që duken në mjetet e informimit masiv mund të vlerësohen vetëm si versione. Tani për tani ato bazohen vetëm në deshifrimin e "kutive të zeza" të bordit. Ato lënë të kuptohet se, ndoshta, pilotët kanë vepruar nën ushtrim presioni. Përsa i përket qendrimit të Polonisë ndaj ecurisë së hetimit mund të them vetëm, se njerëzit janë të prirur për të menaxhuar qëllimet e tyre dhe gjithmonë ekziston mundësia e asaj që ata ta shfrytëzojnë situatën në leverdi të vet, të ofrojnë interpretimet dhe konkluzionet e veta, tha Todor Bojadzhiev.