Në Ekaterinburg përfunduan konsultimet ndërshtetërore ruso-gjermane, të cilat u zhvilluan paralelisht me forumin shoqëror të të dyja vendeve -"Dialogu peterburgas". Në konferencën përfundimtare mbajtur për shtyp Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev vuri në dukje, se Rusia dhe Gjermania janë partnere të mëdha tregtare dhe se nga ajo se në ç'mënyrë do të zhvillohen marrëdhëniet tona varet gjendja shëndetësore e ekonomive tona. Dokumentet e nënshkruara në Ekaterinburg në sferën e marrëdhënieve sociale, shëndetësisë, komunikimit hekurudhor, shkencës dhe kulturës janë dëshmi e gjallë e partneritetit tonë strategjik. Duke prekur temën e Qendrës së madhe inovative "Skolkovo" që po krijohet në periferitë e Moskës, Presidenti rus mbështeti synimin e "Siemens-it" për të ndërtuar atje "qendrën e kompetencës". Medvediev theksoi në mënyrë të veçantë, se në iniciativën "partneriteti për modernizim" midis BE dhe Rusisë Gjermania është partnere kyçe me të cilën neve na lidhin mijëra biznes-kontrata. Ai vuri në dukje me kënaqësi rivendosjen pas krizës të qarkullimit tregtar midis dy vendeve tona dhe daljen e tij në nivelin e vitit 2008. Duke folur mbi efikasitetin energjetik Presidenti vlerësoi mjaft lart krijimin 2 vite më parë të agjencisë energjetike ruso-gjermane. Ai shpalli mbi zhvillimin në 2011 në vendet tona të vitit ruso-gjerman të hulumtimeve dhe arsimit. Duke vlerësuar "Dialogun peterburgas", që kremtoi këtë vit jubileun e vet 10 vjeçar, Dimitri Medvediev deklaroi si vijon: "Ky është dimension njerëzor. Ai është jo më pak i rëndësishëm se sa ekonomia, këto janë çështje kontaktesh personale, kontaktesh midis shoqërish civile, diskutim i problemeve të ndërlikuara aktuale", tha Presidenti rus. Dimitri Medvediev përmendi projektet humanitare mbi të cilat po punohet tani, për shembull, projekti "Rusët dhe gjermanët - 1000 vjet të historisë së kulturës  dhe artit". Për dy vjet duhet të përgatitet teksti mësimor i përbashkët ruso-gjerman i historisë. Presidenti rus vuri në dukje edhe rëndësinë e marrëdhënieve miqësore personale me Kancelaren Angela Merkel. Kjo, mendon ai, është garanci e marrëdhënieve harmonike midis dy vendeve. Gazetarët kujtuan, se para pak kohësh Presidenti Medvediev u shpreh në lidhje me dëshirën e Rusisë për krijimin e aleancës së modernizuar me partnerët perëndimorë, dhe pikërisht me Gjermaninë, Francën, Italinë, shtete të tjera perëndimore dhe me SHBA. Por Gjermaninë ai e pozicionoi në vendin e parë. Dimitri Medvediev e shpjegoi përse: " - Ne me të vërtetë kemi vendosur që prej kohësh marrëdhënie prej partnerësh, të cilat nuk arritën ti prishin dot bile as faqet e ndërlikuara të historisë. Ne kemi patur gjithmonë midis nesh një këmbim produktiv mendimesh. Ne gjatë shekujve të fundit kemi zhvilluar teknologjitë e përbashkëta. Kurse tani ne kemi vendosur marrëdhënie të shkëlqyera ekonomike. Pikërisht prandaj në aleancën për modernizimin vendin më të denjë duhet ta zërë Gjermania. Për ne puna me partnerët gjermanë ka qenë shumë komforte edhe 300 vjet më parë, edhe tani. Ne dimë të gjejmë interesat ekonomike që na lidhin ne", tha Medvediev. Si zakonisht në samitet ruso-gjermane ngrihet për diskutim edhe çështja që ka të bëjë me anulimin e vizave për qytetarët rusë që vizitojnë zonën e Shengenit dhe për evropianët, të cilët vizitojnë Rusinë: "Tek ne në Rusi gjithçka është jashtëzakonisht evidente dhe e kuptueshme: ne do të dëshironim të vendosnim marrëdhënie pa viza. Ne mendojmë se jemi plotësisht të gatshëm për një hap të tillë. Këtë e dëshiron biznesi ynë, këtë gjë e duan njerëzit tanë", tha Dimitri Medvediev. Presidenti rus kujtoi atë fakt, se i dorëzoi palës evropiane projektin e marrëveshjes për regjimin pa viza. "Vetëkuptohet, - tha ai, - se ky është vetëm një projekt, se ekzistojnë probleme e vështirësi brenda vetë BE. Partnerët tanë po komunikojnë në lidhje me këtë temë. Por ne shpresojmë megjithatë se avancimi në këtë drejtim do të jetë i vërtetë", konkludoi ai.