Në Francë, ku komuniteti mysliman numëron deri në 6 milionë veta, u miratua ligji mbi ndalimin e mbajtjes së ferexhesë. Organizatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe ekspertët mendojnë, se kufizime të kësaj natyre do të provokojnë shfaqjen e agresivitetit nga ana e pasuesve të Islamit. Ndërkohë eksperti i pavarur rus për politikën e Islamit Georgij Engelgard konfirmon me bindje të plotë, se me ndalimin e mbajtjes së ferexhesë autoritetet nuk fyejnë aspak ndjenjat fetare të besimtarëve, meqenëse mbajtja e saj nuk është element i detyrueshëm i fesë islamike. "Veshja komplet e mbyllur nuk është element i detyrueshëm i islamit. Evropa po ndërmerr një hap të tillë për dy parime, shkaqe kryesore: për nga pikëpamja e sigurisë - meqenëse njeriu me fytyrë krejtësisht të mbuluar mund të përbëjë rrezik për sigurinë, kurse shkaku i dytë është pakënaqësia në rritje e popullsisë së Evropës nga vetë fakti, se emigrantët myslimanë shpesh herë nuk shprehin kurrfarë dëshire për tu integruar në shoqërinë evropiane. Domethënë, ky është një moment integrimi të detyruar", thotë Georgij Engelgard. Po a mund të lindë vallë një problem i tillë në Rusi ku ka shumë republika islamike? Georgij Engelgard mendon, se një gjë e tillë nuk do të ndodhë sepse mbajtja e veshjeve krejtësisht të mbyllura nuk është absolutisht e përhapur në komunitetet myslimane të Rusisë. Përveç kësaj, në vendin tonë nuk ka kurrfarë kufizimesh ligjore për mbajtjen e simbolikës tradicionale. Autoritetet ruse i respektojnë ndjenjat fetare të besimtarëve. Gjithashtu askush nuk i ndalon ata që besojnë Allahun t'ua trasmetojnë njohuritë e veta brezave të rinj në shkolla. Në veçanti, në Republikën e Çeçenisë që prej kohësh zhvillohet mësimdhënia e lëndës së njohjes me fenë, thekson Georgij Engelgard. "Në Republikën e Çeçenisë një mësimdhënie e tillë është aplikuar që 3 vite më parë si lëndë e detyrueshme për studim. Një gjë e tillë ndodhi shumë më parë se sa mësimdhënia e lëndës së njohjes me fenë dhe kulturën orthodhokse në shkollat e tjera shtetërore". Tek një pjesë e rusëve, po ashtu si dhe e evropianëve, vërehen tendenca e prirje antiislamike. Ato janë të lidhura, para së gjithash, me veprimet e fanatikëve fetarë, të cilët krijojnë turbullira, trazira në territorin e Kaukazit të Veriut. Pas akteve terroriste, në veçanti, në metronë e Moskës në fund të marsit të këtij viti, shumica e moskovitëve i shohin me dyshim e mosbesim femrat që mbajnë po ato shami nacionale, duke parë tek ato terroristet poteciale. Por edhe vetë besimtarët që praktikojnë Islamin këtë gjë nuk e pëlqejnë aspak. Përfaqësuesit e disa diasporave myslimane bile iu drejtuan qeverisë së Moskës me idenë e përpilimit  të një rregulloreje, e cila tu shpjegojë të ardhurëve se nga cilat zakone e doke të vetat nacionale do të ishte mirë të përmbaheshin këtu. Rregulloren premtojnë ta përgatisin që në fund të këtij viti. Ajo do të jetë shumë e dobishme për ata persona që nuk njohin traditat dhe zakonet e Moskës dhe destinohet për të shpjeguar se si të mos irritojnë banorët e saj, për shembull, me vallet e tyre kombëtare në rrugët e qytetit apo me traditat e bërjes së kafshëve kurban në vendet publike, si dhe gjëra të tjera të kësaj natyre që shokojnë banorët e Rusisë Qendrore.