Zëri i Rusisë  

"Duhen gjetur forca në vetëvete për të hequr dorë nga stereotipet". Një udhëzim të tillë u dha ambasadorëve dhe përfaqësuesve të tjerë të përhershëm të Rusisë jashtë shtetit Presidenti Dimitri Medvediev. Dhe po aty për aty deklaroi, se është e domosdoshme të ndërtohen aleanca të modernizuara me Gjermaninë, Francën, Italinë dhe, në tërësi, me BE si dhe SHBA. Për herë të parë për shumë e shumë vite vendet e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura si partnere prioritare strategjike nuk u ndodhën në pozitat e para. Dhe në këtë fakt disa analistë nxituan të vërejnë ndryshimin revolucionar të kursit të politikës së jashtme ruse.  Por a ia vlen vallë të merren e të perceptohen të gjitha këto ashtu pikë për pikë? Me një pyetje të tillë "Zëri i Rusisë" iu drejtua ekspertëve dhe politologëve të autoritetshëm vendas. Zëvendësi i parë i Kryetarit të komitetit të Këshillit të Federatës të Rusisë për çështjet ndërkombëtare Iljas Umahanov nuk vuri re kurrfarë riorientimi të prioriteteve në deklaratën e Presidentit: "Të flitet mbi atë, se një prioritet u zëvendësua me një tjetër nuk do të ishte aspak korrekte dhe e drejtë. Politika e jashtme ruse është shumëvektorëshe. Po, në procesin e modernizimit të vendit tonë domethënia e Bashkimit Evropian merr një aktualitet e rëndësi të veçantë. Por kjo nuk mohon aspak rëndësinë e bashkëveprimit tonë me vendet e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura", tha Iljas Umahanov. Në të njëjtën kohë Zëvendës drejtori i Qendrës së teknologjive politike Sergei Mihejev paralajmëron, se nuk duhet të gënjehemi e të ushqejmë shpresa të kota në lidhje me bashkëpunimin e Rusisë me BE dhe SHBA. Përvoja historike tregon qartë, se mund të mbështetesh vetëm tek fqinjët dhe kurrsesi jo tek Perëndimi, thekson politologu. Me një konkluzion të tillë nuk pajtohet në mënyrë kategorike Presidenti i Universitetit Amerikan "Shtëpia ruse" në Moskë Eduard Llozanskij: "Natyrisht Bashkësia e Shteteve të Pavarura (BSHP) është një partnere shumë e rëndësishme e Rusisë dhe asaj i duhet kushtuar sigurisht vemendje. Por ne flasim tani për prioritetet. Presidenti Medvediev bën thirrje për ta shndërruar Rusinë në një vend bashkëkohor, modern dhe gjithë kohës flet për inovacionet, mbi modernizimin. Po ku janë gjithë këto teknologji të larta? Para së gjithash në SHBA. Ja, pra, dhe duhet të zhvillohen me Amerikën marrëdhënie normale, të këmbëjmë teknologjitë, investimet. Ndërsa më pas BSHP të fillojë gjithashtu të ngrihet e të avancojë drejt kësaj rruge", tha Eduard Llozanskij. Ndërkohë vetë Dimitri Medvediev bashkëpunimin me partnerët në BSHP e quajti tejet të rëndësishëm dhe prioritar. Kështu që askush nuk ka ndërmend ti kthejë kurrizin fqinjëve. Presidenti shtroi detyrën e krijimit të hapësirave të gjera inovative në të gjitha drejtimet.