Dita e Familjes, Dashurisë dhe Besnikërisë kremtohet sot pothuajse në të gjitha rajonet e Rusisë. Por solemnitetet kryesore megjithatë po zhvilloen në Murom (qytet ky në lindje të Moskës): pikërisht banorët e këtij qyteti të lashtë rus disa vite më parë ishin ata që propozuan idenë e zhvillimit të kësaj feste. Qytetarët e veshur si për festë me lule në duar që herët në mëngjes nxitojnë drejt manastirit të femrave Svajto-Troick. Në këtë manastir ruhen eshtrat e bashkëshortëve besimtarë Pjotër dhe Fevronia. Legjenda tregon për martesën e tyre të gjatë e të lumtur. Banorja e qytetin Murom Vera Ivanova e do shumë këtë festë: "- Sa herë që marr pjesë në këtë festë gjatë gjithë javës pasuese provoj në shpirt ndjesinë e mirësisë, dlirësisë, përkëdhelisë dhe të gjitha punët i bëj me lehtësi të madhe. Fluturoj si flutur, - qesh gruaja.

0 Kurse Maria 17 vjeçare ëndërron për një familje të madhe e të konsoliduar. Ajo shpreson se festa do të ndryshojë qendrimin e të rinjve ndaj martesës dhe se ata do të sillen më me përgjegjësi ndaj saj: " - Unë mendoj se familja është baza e gjithçkaje. Për mua është jashtëzakonisht e rëndësishme që burri dhe gruaja ta respektonë dhe ta vlerësojnë njëri tjetrin, me qëllim që midis tyre të ketë përherë mirëkuptim dhe dashuri. Ç'është për të ardhur keq tani rinia nuk e kupton këtë gjë. Dhe mua më vjen jashtëzakonisht keq. Shpresoj shumë që falë kësaj feste ata të ndryshojnë pikëpamjet e tyre për jetën", i tregoi korrespondentit tonë banorja e re e Muromit. Në qytetin Murom në këtë ditë lidhen veçanërisht shumë martesa. Bashkëshortët e ardhshëm e kanë planifikuar posaçërisht ditën e dasmës në përkim me këtë festë duke menduar se në qoftë se ata do të martohen në Ditën e Familjes, Dashurisë dhe Besnikërisë, martesa e tyre do të jetë me fat dhe e gjatë. Ndërsa njerëzit të cilët kanë shumë vite të martuar, disa dhjetëvjeçarë, i nderojnë dhe i repektojnë në mënyrë të veçantë në qytet. Çdo vit më 8 korrik bashkëshortja e Presidentit rus Svetllana Medvedieva, organizatorja dhe përkrahësja e Ditës së Familjes, Dashurisë dhe Besnikërisë, u dorëzon në këtë qytet bashkëshortëve më të përkushtuar e më besnikë medaljen përkujtimore. Në njërën anë të medaljes është gdhendur shembëlltyra e martirëve të shenjtë Pjotër dhe Fevronia, kurse në anën tjetër të saj - luleshqerra (margarita) - simboli i kësaj feste. Në shumë gjëra falë qytetit Murom dhe banorëve të tij kjo lule është bërë simbol i jetës së lumtur familjare.