Rusia do të marrë pjesë në konkursin e projekteve të destinuara për mbrojtjen e Tokës nga rreziku kërcënues i asteroidëve dhe kometave. Do të startojë ky konkurs tashmë më 20 korrik, ndërsa pas 4 muajsh planeti do të njohë heroin e saj. Pjesëmarrësit e tij nuk janë të shumtë në numër. Zyrtarisht Bashkimi Europian ka ftuar në të vetëm Rusinë dhe SHBA. Ka shumë mundësi të bashkohet me to edhe Japonia. Programi i veprimeve në rast të përplasjes së Tokës me ndonjë asteroid përfshin në vetvete disa aspekte, mendon Drejtori i Institutit të Astronomisë të Akademisë së Shkencave të Rusisë Boris Shustov. Këtu, së pari, duhet përmendur zbulimi, evidentimi i trupeve të rrezikshëm qiellorë, dhe, sigurisht, përpunimi i metodave të mundshme të parandalimit të rënies së tye. Në qoftë se ne e zbulojmë trupin qiellor me kohë, atëhere mund të marrim masa për distancimin e tij nga orbita e rrezikshme. Në qoftë se trupi qiellor ndodhet fare afër dhe ka mbetur vetëm një muaj ose më pak kohë deri në momentin e përplasjes së tij me Tokën, do të duhet të merren masa ndikimi më të fuqishëm, deri në shpërthimin e tij. Rrezik më të madh për planetin tonë përbëjnë asteroidët hektometrikë. Nga të gjitha objektet që i afrohen Tokës të tillë janë gati 90%, domethënë pak më tepër se 6000 copë. Potencialisht të rrezikshëm cilësohen 964 asteroidë. Përveç kësaj, në drejtim të Tokës në momentet aktuale po fluturojnë 84 kometa dhe 806 asteroidë disa kilometërsh. Asnjë nga këto kometa nuk përbën rrezik kërcënues serioz, kurse nga asteroidët  me përmasa disakilometërshe rrezik real përbëjnë vetëm 1/4 e tyre, mendon Boris Shustov. Aktualisht shkencëtarët e gjithë botës i preokupon fort asteroidi Apofis, diametri i të cilit përbën 350 metra. Pritet që në vitin 2029 ai ti afrohet Tokës në një distancë tepër të rrezikshme - gati 30 mijë kilometra, largësi kjo që është më e afërt se sa orbita e satelitëve gjeostacionarë. Në qoftë se gjatë rrugës së vet Apofis do të ndërrojë dhe orbitë, atëhere në vitin 2036 ai do të përplaset me planetin. Dhe do të jetë një mrekulli në qoftë se ai do të bjerë në stere. Në këtë rast do të krijohet një shkretëtirë me përmasat e territorit të Francës. Ndërsa në qoftë se ai do të bjerë në ujërat e Oqeanit Botëror, atëhere në këtë rast nuk do të mund të bëjë dot më asgjë as vetë Bruce Willis. Duke perceptuar qartë këtë rrezik kërcënues në Rusi, SHBA dhe në Europë tashmë po përgatisin misionin kërkimor kozmik. Ndoshta ide të denja për tu marrë në konsideratë do të paraqesin pjesëmarrësit e konkursit të sipërpërmendur.