Zëri i Rusisë  

Këto ditë përsëri u ngrit për diskutim çështja që ka të bëjë me vendosjen e regjimit pa viza midis Rusisë dhe BE. "Pengesa teknike për kalimin në këtë regjim nuk ekzistojnë", - deklaroi gjatë zhvillimit të urës telekomunikative Moskë-Bruksel Përfaqësuesi zyrtar i Federatës Ruse në Bashkimin Evropian Vladimir Çizhov. Po ç'pengesa ekzistojnë megjithatë? Për këtë tregoi në bisedën e zhvilluar me "Zërin e Rusisë" ekspertja e autoritetshme për eurointegrimin e Institutit të Evropës të Akademisë së Shkencave të Rusisë Olga Potjomkina: "Ne e dimë fort mirë se një pjesë vendesh e mbështesin dhe e duan liberalizimin e mëtejshëm dhe anulimin përfundimtar të regjimit të vizave me Rusinë. Por një sërë anëtarësh të tjerë të BE me në krye Gjermaninë e fuqishme - miken dhe partneren tonë më të mirë - nuk lëshojnë fare pe në këtë çështje". Një pozitë e tillë shpjegohet me legjislacionin e brendshëm tejet të rreptë. Gjermania është një udhëkryq tejet i gjallëruar i qarkullimit klandestin si të njerëzve, ashtu dhe mallrave, ndër të tjera edhe drogës. Është paradoksal vetë fakti që ndaj vendeve ballkanike rreptësitë e ligjeve gjermane nuk veprojnë. Tashmë është anuluar regjimi i vizave me shtete të tilla që kanë një barrë të madhe problemesh si Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, ndërsa në radhë janë Bosnja e Hercegovina ... Shqipëria. Nuk është sekret për askënd se pikërisht nëpërmjet Maqedonisë kalon "rruga famëkeqe" e narkotrafikut. Kurse Shqipëria, sipas të dhënave të BE, është pikë përqendrimi e grupimeve kriminale. Del, pra, se motivet politike, me sa duket nga të gjitha, janë më të fuqishme se sa të gjitha druajtjet dhe frikat... Rusia, së cilës tani për tani i është propozuar vetëm "harta rrugore", po i plotëson të gjitha detyrimet e veta sipas Marrëveshjes së vitit 2006, domethënë i pranon mbrapsh të gjithë njerëzit që depërtojnë në mënyrë klandestine në Evropë nga territori i saj, bile dhe ata që nuk kanë nënshtetësi ruse. Në këmbim të kësaj neve na propozuan tani për tani regjimin e liberalizuar të vizave. Por unë provoj një ndjesi të tillë, - vazhdon më tek Olga Potjomkina, - sikur ai i tillë ka qenë edhe para "liberalizimit dhe i tillë ka mbetur deri tani. Siç nuk ka patur më parë probleme, të themi, me Spanjën, Francën, Finlandën, Estoninë, ashtu nuk ka edhe tani. Në këto vende qytetarëve ruse nuk i nxjerrin kurrfarë pengesash artificiale. Kurse, ta zemë, të provosh në konsullatën gjermane se ke të drejtë për të marrë vizë falas është një gjë tejet e vështirë. Për gjithë kohën që shkoj në seminare e konferenca kam përfituar vetëm një herë një favorizim të tillë, të përcaktuar për shërbime të kësaj natyre me një marrëveshje të posaçme midis Rusisë dhe BE. Me që ra fjala, shumë pak veta e dinë: se anulimi i vizave do të prekë vetëm udhëtimet kohëshkurtra në Evropë! "Regjimi pa viza përfshin një numër të madh qytetarësh rusë: turistët, biznesmenët, veprimtarët e shkencës dhe kulturës. Ndërsa përveç kësaj ky hap mund të bëhet një hop i vërtetë politik, kthesë rrënjësore në marrëdhëniet e Rusisë dhe Evropës së bashkuar, simbol i besimit të lartë të ndërsjelltë, i cili, ç'është për të ardhur keq, na mungon ne kaq shumë. Parashikimi im është i tillë: aty nga viti 2014 vizat për në Europë do ti anulojnë megjithatë. Neve nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shtojmë, se vitin e ardhshëm qytetarët rusë i pret një "risi": gjatë hyrjes në zonën e Shengenit atyre do tu marrin gjurmët e gishtave. Atëhere, sipas kësaj, i bie që edhe miza të mos kalojë dot në mënyrë klandestine në BE...