Zëri i Rusisë  


Shkarko audiofailin

Pak më shumë se tre muaj kanë mbetur deri në startimin e etapës së parë të Regjistrimit Mbarërus të Popullsisë - 2010. Që nga 14 e deri më 25 tetor regjistruesit do të shkojnë shtëpi më shtëpi e apartament më apartament. Dhe duhet thënë se do të regjistrojnë ata jo vetëm qytetarët rusë, por edhe gjithë shtetasit e huaj që jetojnë në territorin e Rusisë. Për të huajt që jetojnë në Rusi më pak se 1 vit është përpiluar një fletë-anketë e reduktuar vetëm me 7 pyetje. Përveç pikave tradicionale të tilla si - përkatësia e seksit, mosha dhe shtetësia - regjistruesit do të jenë të interesuar të mësojnë, në veçanti, edhe qëllimin e ardhjes së tyre në Rusi. Ata persona të huaj që jetojnë në Rusi më shumë se 1 vit, bile edhe në qoftë se nuk kanë arritur të bëjnë të gjitha dokumentat, do të regjistrohen si banorë të përhershëm. Ndaj punës për përpilimin e listave specialistët janë sjellë me gjithë seriozitetin e duhur. Nga njëra anë, ishte e domosdoshme të ruhej trashëgimia me qëllim që të mund të evidentoheshin ndryshimet e ndodhura në krahasim me regjistrimet paraardhëse. Nga ana tjetër, pyetësori duhet të pasqyrojë realitetin e ditëve tona. Në kapitullin "arsimi dhe trajnimi" për herë të parë janë përfshirë variante të tilla përgjigjesh si: Bachelor, Master, Specialist. Kjo është e lidhur me kalimin tek sistemi i arsimit multistage në Rusi. Për përshkrimin e kushteve të jetesës u shtua pika mbi aksesin në Internet. Nga fletët e regjistrimit të vitit 2010 janë hequr pyetjet "frikësuese" për respondentët. Për shembull, mbi përmasat e të ardhurave që fitojnë personat që pyeten. Regjistruesit do të pyesin vetëm për burimin e të ardhurave të nevojshme për jetesë dhe do të propozojnë variante përgjigjesh: rroga shtetërore, pensioni, bursa, ndihma sociale, kursimet. Drejtori i Shërbimit Statistikor të Rusisë Aleksandër Surinov shprehet me shaka, se tradicionalisht gjatë kohës së regjistrimit femrat janë ato që i përgjigjen me dëshirë jo fort të madhe, në mënyrë të tërthortë pyetjes që ka të bëjë me moshën, ndërsa meshkujt - asaj që ka të bëjë me gjendjen civile. Aleksandër Surinov kujtoi, se kurrfarë dokumentesh të tilla si diploma, dëshmi, pasaporta për verifikimin e përgjigjeve regjistruesit nuk kërkojnë. Pyetësori plotësohet në mirëbesim të plotë me referim tek fjalët e respondentit. "Ndaj përgjigjeve të dhëna nga popullsia mund të mbash qendrime të ndryshme. Po, ç'është për të ardhur keq, njerëzit tek ne i zbukurojnë ngandonjëherë përgjigjet që kanë të bëjnë me arsimin. Femrat kanë tendencë të paraqiten më të reja në moshë, ndërsa meshkujt - të rrisin disi moshën. Këto janë dukuri krejtësisht të natyrshme. Gjëra të tilla ndodhin në të gjitha vendet e botës. Detyra jonë është ta bindim popullsinë të tregojë të vërtetë mbi veten. Ne nuk kërkojmë paraqitjen e dokomenteve duke u përpjekur të arrijmë me këtë vendosjen e marrëdhënieve mirëbesuese me respondentët. Në një farë shkalle të caktuar përfundimet e regjistrimit janë në fakt mendimi i përpunuar i shoqërisë për veten", tha Aleksandër Surinov. Regjistimi do të demonstrojë shifrat: sa njerëz jetojnë në Rusi, sa meshkuj, sa femra. Ç'pjesë e tyre mëson, punon apo është në pension. Ekziston një informacion i caktuar të cilin mund ta fitosh vetëm po të realizosh pyetësorin në mes të popullsisë, për shembull, përkatësia nacionale. Ky informacion nuk figuron në asnjë dokument, ndërkohë që ai është shumë i rëndësishëm për shtetin dhe politikën nacionale. Përsa i përket vetë popullsisë, duhet thënë, se ajo mban një qendrim luajal, besnik ndaj regjistrimit. Sipas të dhënave të sondazheve të sociologëve, gati 80% e popullsisë është e gatshme ti përgjigjet pyetjeve të regjistruesve. Në Rusi pjesëmarrja në regjistrim është çështje e shfaqjes së vullnetit të lirë. Atyre që merren me statistikat u mbetet vetëm ti bëjnë thirrje popullsisë të shfaqë ndërgjegje e arsyeshmëri. Sepse regjistrimi i banorëve të vendit është i domosdoshëm me qëllim që të përfitohet një bazë e sigurt për përpilimin e politikës sociale, ekonomike, që të parashikohet drejt, realisht situata.