Gjatë ecurisë së operacionit ndërkombëtar të Interpolit "Pangia-2" në Internet u evidentuan rreth 1200 site nëpërmjet të cilëve realizohej shitja e ilaceve të falsifikuara (counterfeits). Më shpesh mashtruesit e rrjetit Internet shisnin antibiotikë counterfeits, mjete kontraceptive dhe steroide të falsifikuara. Operacioni u zhvillua në territoret e 25 vendeve të botës, ndër të tjera edhe në Rusi. Ky operacion i Interpolit nuk është aspak i vetmi në të cilin merr pjesë edhe Rusia, tregoi Kreu i Byrosë ruse të Interpolit Timur Llahonin. Sipas fjalëve të tij, një vemendje të veçantë Interpoli do ti kushtojë krimeve të lidhura me përhapjen e pornografisë minorene në rrjetin Internet: "Në ditët tona ajo që po ndodh në Internet në këtë drejtim është një katastrofë e vërtetë! Me përpjekjet e përbashkëta të Interpolit, byrove kombëtare, dhe natyrisht, të gjitha sistemeve të ruajtjes së rendit të vendeve të botës ne përpiqemi të gjejmë ndofarë kundërmasash adekuate me qëllim që ti vemë pritë, të kundërveprojmë ndaj kësaj së keqeje. Ekziston tashmë një shembull i mirë i një bashkëveprimi të tillë: para pak kohësh së bashku me partnerët australianë arritëm të pezullojmë veprimtarinë e një grupimi kriminal ndërkombëtar që merrej me realizimin dhe shitjen e pornografisë minorene". Kreu i Byrosë ruse të Interpolit sqaroi, se pedofilët i xhironin këto filma në territorin e Rusisë. Detektivët arritën të piketojnë vendet e realizimit të xhirimeve, targat e makinave të organizatorëve dhe bile numrat e shkollave ku mësonin fëmijët - "modele". "Tani po vazhdojnë aktivitetet e përbashkëta kërkimoro-operative dhe ekzistojnë shanse të mira për ta çuar këtë punë deri në fund dhe që të nxirren fajtorët përpara gjyqit", - tha Timur Llahonin. Kurse në muajin mars të këtij viti bashkëpunëtorët e Byrosë ruse të Interpolit në Britaninë e Madhe zbuluan pikturën e Levitanit "Rruga", e cila qe grabitur më tepër se 10 vite më parë nga koleksioni privat i një moskoviti. U hoqën gjithashtu nga ankandi në Angli dhe Gjermani dokumentet origjinale të dekreteve të carëve rusë, të vjedhura në vitin 1995 nga Arkiva Historike Shtetërore ruse në Shën Peterburg. Organizata Ndërkombëtare e Policisë Penale - Interpol - u krijua në vitin 1923. Federata Ruse u bë anëtare e Interpolit 20 vjet më parë, në vitin 1990. Detyrë kryesore e policisë ndërkombëtare është grumbullimi dhe shkëmbimi i informacionit mbi njerëzit dhe sendet me vlerë që ndodhen në kërkim. Me zbulimin e krimeve, në kundërshtim me mendimin e përhapur, bashkëpunëtorët e Interpolit nuk merren. Me këtë punë merren organet vendore të ruajtjes së rendit.