Zëri i Rusisë  

Sot në Shën Peterburg për herë të parë u ndanë çmimet për përkthimet më të mira të letërsisë ruse në gjuhë të ndryshme të botës. Ceremonia e dorëzimit të tyre u zhvillua në Institutin e letërsisë ruse - Shtëpinë e Pushkinit. Konkursi u organizua nga Qendra ndërkombëtare e përkthyesve të letërsisë ruse në gjuhë të ndryshme të botës, e cila u krijua nën drejtimin e Shtëpisë së Pushkinit. Kërkesat për pjesëmarrje në të erdhën nga 12 vende të Europës, Azisë dhe Amerikës Latine. Me Qendrën bashkëpunuan edhe organizata të tjera letrare si Lidhja e përkthyesve gjermanë, Fondi letrar holandez, Lidhja e përkthyesve letrarë të Turqisë, Shoqata mbarëkineze e studimit të letërsisë ruse dhe shumë të tjera. Me vendim të jurisë, për përkthimin e romanit të Fjodor Dostojevskit "Vëllezërit Karamazov" në gjuhën azerbajxhanase, çmimin e meritoi profesori i Universitetit sllav të Bakusë Telman Gamzaga ogllu Xhafarov. Për popullarizimin në vendin e vet të një vepre tjetër të madhe të klasikës ruse - romanit të Lev Tolstoit "Anna Karenina" - çmimi iu dorëzua profesorit të Institutit të sllavistikës të Universitetit të Hokkaidos në Japoni Tetsuo Mochizuki. Për përkthimin e poezive të Anna Ahmatovas u nderua me çmim sllavistja nga Holanda Marja Vibes. Ceremonia e parë e dorëzimit të çmimit u zhvillua me mbështetjen e konsullatës së përgjithshme të mbretërisë së Holandës në Rusi.