Shkarko audiofailin

Presidenti i Federatës Ruse Dimitri Medvediev propozoi krijimin e mekanizmit ndërkombëtar për parandalimin dhe likuidimin e pasojave të katastrofave në shelfin detar, shkruan botimi «Независимая газета» ("Njezavisimaja gazeta"). Gjatë fjalës së marrë në konferencën për shtyp në Toronto Dimitri Medvediev ngriti çështjen e avarisë që ndodhi në platformën e naftës Deep Water Horizon në Gjirin e Meksikës. Presidenti vuri theksin në prezencën e problemit juridik. Sipas fjalëve të tij, "mungon baza e plotë Konvencionale për zgjidhjen e problemeve të tilla". Dimitri Medvediev mendon se ajo mund të përfshinte,  për shembull, zbritjet, deduksionet nga fitimet e kompanive më të mëdha ndërkombëtare që merren me përpunimin e naftës, të cilat të drejtoheshin në një fond të posaçëm. Është i mundshëm gjithashtu edhe sigurimi nga rreziqet përkatëse për llogari të deduksioneve. Me porosi të pjesëmarrësve të samitit të G-20 ekspertët do të përgatisin propozimet për krijimin e bazës përkatëse juridike ndërkombëtare dhe do të raportojnë mbi rezultatet e punës së tyre në samitin që do të zhvillohet këtë vit në Seul. Ekologët dhe juristët e vlerësojnë një ide të tillë, në tërësi, si interesante dhe të duhur. Por analistët venë në dyshim të madh mundësinë e realizimit të saj në jetë. Sipas mendimit të tyre, në këtë luftë për mbrojtjen e Mjedisit Detar Medvedievit dhe liderëve të tjerë të G-20 do tu duhet të kapërcejnë vështirësi serioze politike dhe ekonomike.

Artikulli i ditës dhe komentimi i tij

Për nga pikëpamja e mbrojtjes së mjedisit rrethues ideja e krijimit të një fondi të tillë u shfaq pikërisht në kohën e duhur, vetëm se ka megjithatë të metat e veta, - mendon Aleksei Jabllokov, ekolog, këshilltar i Akademisë së Shkencave të Rusisë. "Ideja e krijimit të një fondi të tillë është plotësisht e drejtë, por jo fort interesante. Në parim një fond i kësaj natyre duhet për të luftuar me ndotjet e naftës në Detin Balltik, Kaspik, në Lindjen e Largët e kështu me radhë... Dhe krijimi i tij është plotësisht i mundshëm. Por unë e vë në dyshim të madh efikasitetin e këtij fondi. Në shembullin e katastrofës që ndodhi në Gjirin e Meksikës duket në mënyrë mëse evidente se dëmi në rastin konkret i tejkalon mundësitë financiare të gjithfarë fondesh të mundur potencialë. Në qoftë se Rusia do të financojë e para 3-4 miliardë dollarë, ndërsa më pas shembullin e saj do ta ndjekin edhe vende të tjera, atëhere fondi sigurisht që do të krijohet. Por i druhem shumë asaj, se mjetet e mëdha financiare të fondit do të joshin, ndjellin një numër të madh burrokratësh. Dhe, si përfundim, detyrat fillestare të fondit - shpëtimi i natyrës dhe njerëzve - mund të lihen shumë shpejt në harresë", konkludon Aleksei Jabllokov, ekolog, këshilltar i Akademisë së Shkencave të Rusisë.