Zëri i Rusisë  

Në luftën e vitit 1812 morrën pjesë jo pak gra të cilat përkujdeseshin për të plagosurit dhe organizonin njësitë partizane që vepronin në prapavijën e trupave të Napoleon Bonapartit. Por megjithatë vetëm njëra prej tyre u nderua me Kryqin e Shën Gjergjit - dekoratën më të lartë për trimëri e heroizëm ushtarak - dhe meritoi bekimin e vetë perandorit. Ajo ishte Nadiezhda Durova, gruaja e parë oficere në ushtrinë ruse.  Nadiezhda Durova lindi në vitin 1783. Meqenëse prindërit dëshironin pa mend të kishin një djalë dhe jo vajzë edukimin e saj ia besuan një husari (kalorës në ushtri). Ai e edukoi atë ashtu siç dinte, domethënë si një ushtar të vërtetë. Për këtë arsye fati i zakonshëm i vajzave të asaj kohe ishte për të i përbuzshëm, i papranueshëm. Pavarësisht nga fakti se Nadiezhda Durova-n e martuan dhe ajo lindi një djalë, kjo femër e ndryshoi në mënyrë kardinale fatin e saj. Më 17 shtator të vitit 1806, në datën e ditëlindjes së vet, Nadiezhda preu flokët, ngjeshi kostumin kalorsiak mashkullor, u bashkua me regjimentin kozak dhe u rekrutua në trupat e rregullta si ushtar i thjeshtë nën emrin Aleksandër Durov. Në veprimet luftarake ajo arriti të tërheqë vemendjen ndaj vetes - në betejën nën Gutshtadt ajo bëri një vepër heroike - shpëtoi një oficer të plagosur. Për këtë akt ajo meritoi Kryqin e Shën Gjergjit nga dora e vetë perandorit rus. Kur mori arratinë nga shtëpia Nadiezhda Durova u la një letër të afërmve në të cilët u tregoi për planet e veta. Babai i saj i frikësuar pa masë arriti ta përçojë përmbajtjen e letrës deri në vesh të Perandorit, Aleksandrit të I-rë. Dhe pas betejës së radhës Nadiezhda-n e nisën për në Peterburg, ku asaj i dha audiencë vetë cari rus. Ai i lejoi Nadiezhdës të vazhdojë karrierën ushtarake, e dekoroi atë si ushtar me Kryqin e Shën Gjergjit dhe i dhuroi emrin e vet. Pas kësaj ajo kishte të drejtë të plotë ta quante veten Aleksandër Aleksandrov si dhe ti drejtohej perandorit me çdo lutje e kërkesë personale. Historia e mëtejshme e jetës së saj është jo më pak e habitshme. Nadiezhda Durova morri pjesë në fushatën ruso-franceze të vitit 1812 dhe arriti të hyjë në përbërjen e ushtarakëve të shtabit personal të Feldmareshalit Kutuzov. Në vitin 1816, duke mos i rezistuar më dot lutjeve të babait, Nadiezhda Durova doli në lirim në gradën e rotmisterit të shtabit dhe u vendos me banim në Elabugë, ku i shokonte banorët duke dalë në njerëz vetëm me kostum burri. Në kohën e lirë Nadiezhda Durova për ti shpëtuar mërzitisë që e pushtonte filloi të hedhë në letër kujtimet e veta dhe u bë e njohur tashmë edhe si shkrimtare falë poetit të parë të Rusisë Aleksandër Pushkin, i cili në vitin 1836 publikoi në revistën «Современник» ("Sovremenik-Bashkëkosësi") një fragment nga vepra e saj "Shënimet e femrës-kalorëse" ("Записки  кавалерист-девицы»). Kjo grua e jashtëzakonshme jetoi deri në moshën 83 vjeçare dhe deri në ditët e fundit të jetës së vet i nënshkruante letrat me mbiemrin Aleksandrov. E varrosën atë sipas amanetit të lënë të veshur me kostom burrash dhe me të gjitha dekoratat ushtarake.