Nën presionin e komitetit ndërkombëtar Izraeli ra dakort që gjatë 48 orëve të lirojë të gjithë të huajt e arrestuar gjatë zaptimit të anijes shoqëruese "Flotilja e lirisë", e cila po transportonte ndihmë humanitare në Rripin palestinez të Gazës të bllokuar nga Izraeli. Aktualisht, sipas të dhënave të masmediave botërore, numri i viktimave të operacionit special izraelit arriti deri në 19 persona, ndërsa 45 të tjerë ndodhen në spitale. Që në fillim Tel-Avivi planifikoi të deportonte vetëm ata të arrestuar, të cilët nuk morrën pjesë në konfrontimet me forcat speciale. Por pas aksioneve në shenjë proteste të zhvilluara në shumë vende të botës dhe deklaratave të bëra nga Bashkimi Europian, Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe Lidhja e Shteteve Arabe, Izraeli ishte i detyruar të bënte lëshime. Pavarësisht nga kërkesat e komunitetit ndërkombëtar për heqjen e bllokadës nga Rripi i Gazës, pozita e Izraelit tani për tani mbetet e pandryshueshme. Siç deklaroi Kryeministri Benjamin Netanjahu, bllokada e Rripit të Gazës do të vazhdojë deri sa atje të drejtojë lëvizja radikale "Hamas". Shtojmë, se po vazhdojnë sulmet ajrore si dhe konfrontimet e armatosura të ushtarëve izraelitë me ithtarët e radikalëve palestinezë. Në lidhje me karakterin antihuman të bllokadës dhe me papërshtashmërinë e saj për vetë Izraelin shprehet në intervistën e vet dhënë për Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" Drejtori i Institutit të Orientalistikës Vitali Naumkin: "Bllokada gjoja sikur u organizua për kujdesje ndaj sigurisë së popullit të Izraelit, por ky veprim nuk i përgjigjet kërkesave të garantimit të të drejtave të njeriut, ruajtjes së jetës së njerëzve, që jetojnë në Rripin e Gazës. Në fakt bllokada nuk i përgjigjet as realiteteve politike. Në qoftë se ideja e gjithë këtij incidenti konsistonte në detyrimin e popullit për të përmbysur lëvizjen "Hamas", atëherë me rrugën e bllokadës dhe aq më tepër me ushtrimin e presionit mbi popullin është krejt i pamundur realizimi i tij. Madje në të kundërt, pas incidentit me "Flotiljen e lirisë" pozita e "Hamas-it" u forcua akoma dhe më shumë. Dhe i gjithë zemërimi i popullit aktualisht i adresohet Izraelit. Ai i duhet vallë një gjë e tillë popullit izraelit? Mendoj që jo, shprehet më tej Vitali Naumkin. Duhet medoemos të gjenden kompromise. Sepse në fakt, në kohën e vet liderët izraelitë arritën të gjejnë kompromis me Jaser Arafatin, me "Fatah" me liderët e Organizatës për Çlirimin e Palestinës. Si rezultat i skandalit të "Flotiljes së paqes" Izraeli dështoi, ndër të tjera dhe në arenën e informacionit, mendon politologu amerikan Ariel Kohen: "Sepse nga pikëpamja e luftës informative izraelitët deri tani nuk janë në gjendje të parashikojnë se kush po lundron në fakt drejt Gazës. Se ata nuk janë aspak aktivistë paqësorë, të cilët, në të vërtetë filluan të rrahin ushtarët izraelitë, por janë terroristë dhe anëtarë të "Vëllazëria Myslimane". Ndërsa momenti i dytë konsiston në vetë operacionin. Në këtë rast mund të përdorej mjaft mirë gazi lotësjellës si dhe masa të tjera si këto në mënyrë që të mos shkaktohej paralizimi i njerëzve që konfrontuan në këtë incident. Por një gjë e tillë, fatkeqësisht nuk u bë. Në fakt kjo ishte gracka e përgatitur për izraelitët dhe ata ranë në të. Ndërkohë, në drejtim të Rripit të Gazës po lundrojnë edhe dy anije të tjera me ndihma humanitare. Aktivistët propalestinezë janë plotësisht të vendosur për të përsëritur tentativën e heqjes së bllokadës izraelite. Nga ana e vet Benjamin Netanjahu deklaroi mbi synimin e Izraelit për të vazhduar bllokadën detare dhe për të kontrolluar të gjitha anijet që lundrojnë drejt Rripit të Gazës. Çka do të thotë se nuk përjashtohet një rikthim i ri i tensionit në rajon me pasoja të paparashikueshme. Bile më tepër se kaq, në deklaratën e Presidentit të SHBA-së Barack Obama thuhet se duhen gjetur mënyra të tjera për ofrimin e ndihmës Rripit të Gazës, të cilat nuk do të cënonin sigurinë e Izraelit. Dhe kjo deklaratë mund të vlerësohet nga ushtria izraelite si carte-blanche (leje e plotë) për ndonjë akt të ri të piraterisë detare".