Presidenti dhe Kryeministri i Rusisë mund të kalojnë nga makinat e markave të huaja tek përdorimi i automobilave të prodhimit vendas. Dimitri Medvediev ngarkoi administratën e vet me detyrën e shqyrtimit të mundësisë së blerjes për garazhin e parkut presidencial të limuzinëve të rinj të uzinës moskovite «ЗИЛ» ("ZILL"). Edhe uzinat e tjera ruse të prodhimit të automobilave kanë shans për të marrë porosi nga ana e qeverisë për automobilat e prodhimit të tyre. Në kohërat sovjetike automobili i markës "Zill" ishte makinë e cila u garantonte personave të parë të vendit edhe paraqitjen prestigjioze, edhe shpejtësinë e qarkullimit, edhe sigurinë e plotë. Xhamat e saj me trashësi deri në 5 centimetra ishin të afta ti rezistonin pa kurrfarë problemi edhe breshërisë së zjarrit të hapur mbi to me automatik Kallashnikov, edhe plumbit të pushkës së snajperit. Çdo derë e kësaj makine "të blinduar" peshonte rreth 200 kilogramë. Gomat speciale të makinës ishin kaq të forta, sa që edhe sikur ato ti godisnin apo ti shponin me predha ose plumba automobili mund të vazhdonte të ecte me shpejtësi deri në 150 km/orë. Këta automobilë super të sigurt të montimit me dorë kanë shërbyer në parkun e makinave të qeverisë deri në mes të viteve 1990-të. Më pas vendin e tyre e zunë "Mercedesët". Tani Presidenti i Rusisë përdor limuzinin e blinduar të serisë S 600, me të cilin, sipas vëzhgimeve të gazetarëve, nuk ndahet kurrë, meqenëse nën pamjen e "Mercedesit" me formë të zgjatur të klasit "S" fshihet "blinda" me motor 5,5 litërsh me potencial 517 kuaj fuqi, i cili është i aftë të përballojë bile edhe sulmin me granatahedhës. Në qoftë se Presidenti i Rusisë do të marrë vendim për ta ndërruar këtë automobil me limuzin të prodhimit vendas, në uzinën e prodhimit të automobilave «ЗИЛ» ("ZILL") premtojnë ta kryejnë porosinë qeveritare në afate shumë të shkurtra, meqenëse të gjitha teknologjitë prodhuese, kapacitetet dhe specialistët janë në gatishmëri të plotë. E megjithatë, Viktor Hrekov, Zëdhënësi i Departamentit Administrativ të Presidentit kujton, se është ende shpejt të flitet për zëvendësimin e "Mercedesëve" me "Zill-a". "Tani për tani Administratës së Presidentit i është ngarkuar vetëm detyra e shqyrtimit të çështjes që ka të bëjë me shfrytëzimin e limuzinëve  «ЗИЛ» ("ZILL") për personat e pare të shtetit. Dhe në këtë rast fjalë nuk bëhet aspak për ato "Zill-ë" të viteve 1970-1980-të, por për automobile të rinj, që u përgjigjen kërkesave bashkëkohore. Sigurisht, do të krijohet një grup ekspertësh, të cilët do ta shqyrtojnë këtë çështje në plane të ndryshme", tha Viktor Hrekov. Ekspertët e automobilave e quajnë konstruktimin dhe prodhimin në Rusi të makinave për nevojat qeveritare detyrë plotësisht të realizueshme. Sipas mendimit të tyre, prodhimi i limuzinit presidencial si zor ti mbulojë shpenzimet, por mund të shërbejë megjithatë për dhënien e një impulsi serioz zhvillimit të industrisë ruse të prodhimit të automobilave.