Shkarko audiofailin

Akt terrorist, shpërthim apo rënie zjarri në bordin e aeroplanit të Lech Kaczynski nuk pati. Për këtë deklaroi Kryetarja e Komitetit Ndërqeveritar të Aviacionit Tatiana Anodina. Në brifingun e zhvilluar në Moskë ajo bëri publike rezultatet paraprake të punës së komisionit teknik, që hetoi katastrofën e aeroplanit presidencial polak: "Komisioni teknik pa kurrfarë mëdyshje provoi dhe konfirmoi: se motorët e avionit kanë punuar për mrekulli deri në momentin e përplasjes së tij me tokën. Sistemi TAWS (sistemi i paralajmërimit paraprak të përplasjes) dhe sistemi i navigacionit GNSS ishin të ndezur dhe plotësisht të aftë për funksionim të rregullt. Ekuipazhi i morri në kohë të dhënat për situatën meteorologjike dhe aerodromët rezervë nga kullat e kontrollit (të dispeçerisë) të Minskut, aerodromit "Severnij" si dhe nga ekuipazhi i aeroplanit JAK-40 të Ministrisë së mbrojtjes të Polonisë. Përveç kësaj,  u bë e ditur se në kabinën e pilotit ndodheshin persona që nuk ishin anëtarë të ekuipazhit. Zëri i njërit nga ata është identifikuar me saktësi, të tjerët do ti nënshtrohen identifikimit suplementar nga ana e palës polake", tha Tatiana Anodina. Është interesant fakti, se për herë të fundit zëri i Presidentit Kaczynski në kabinën e ekuipazhit të aeroplanit u fiksua nga aparati vetëregjistrues i bordit disa kilometra larg pistës së uljes dhe fluturimeve të aerodromit të Smolenskut. Shkalla e ndikimit të personave të jashtëm në punën e ekuipazhit do të duhet ende të përcaktohet, mendon Tatiana Anodina. Sipas fjalëve të saj, në një kohë të afërt palës polake do të mund ti dorëzohen kopjet e regjistrimeve të "kutive të zeza". Duke u referuar tek rezultatet e punës së specialistëve rusë, Kryetari i komisionit teknik të Komitetit Ndërqeveritar të Aviacionit Aleksei Morozov konfirmoi, se sistemet e aerodromit "Severnij" funksiononin normalisht. Aleksei Morozov tregoi, se përpara fluturimit ekuipazhi nuk kishte të dhëna aeronavigative aktuale në lidhje me aerodromin "Severnij" si dhe parashikimin e motit në vendin e destinacionit të fluturimit. Përveç kësaj, ekuipazhi që u krijua vetëm disa ditë para tragjedisë nuk pat zhvilluar trajnime të rregullta për përsosjen e bashkëveprimit në kushte të veçanta. Tatiana Anodina theksoi, se në zhvillimin  e hetimit janë përfshirë specialistët më të mirë të sferës teknike dhe asaj të aviacionit, institute kërkimoro-shkencore të Rusisë, Polonisë dhe SHBA-s. Është tejet e rëndësishme që midis specialistëve rusë dhe polakë nuk evidentohet moskuptim. Nga ana e vet këtë gjë e konfirmoi edhe Përfaqësuesi i autorizuar i Republikës së Polonisë Edmund Klih. Ai deklaroi, se është i kënaqur nga rezultatet paraprake të hetimit: "Plotësimi i procedurave që u ndërmorrën tre ditë pas katastrofës, sipas vlerësimit tim dhe vlerësimit të specialistëve polakë, ishte vendimi më i mirë që u morr. Përfaqësuesit e mi morrën pjesë në studimin e zërave në kabinën e pilotit, ndërsa në momentet aktuale po saktësojnë disa regjistrime. Gjatë kësaj informacioni vjen jo aq shpejt saç do të dëshironim, meqenëse aeroplani Tu-154 i përkiste Forcave Ushtarako-Ajrore të Polonisë dhe disa dokumente mbajnë vulën "super-sekret". Heqja e kësaj vule nga këto dokumente do të kërkojë kohë. Edmund Klih vuri në dukje, se hetimit do ti duhet të përcaktojë akoma se çfarë ndikoi në marrjen e vendimit nga pilotët për ta ulur aeroplanin në Smolensk në vend që ta bënin këtë gjë në aeroportin rezervë që iu rekomandua nga dispeçerët. Por pavarësisht nga të gjitha këto, deri tani çështja që ka të bëjë me shkakun e katastrofës, e cila morri jetët e 96 vetave, vazhdon të mbetet e hapur. Në Komitetin Ndërqeveritar të Aviacionit premtuan, se në një kohë të afërt "rrethanat dhe shkaqet do të përcaktohen me përpikëri, objektivitet dhe në mënyrë të hapur". Ndërsa tani për tani së bashku me specialistët polakë janë përgatitur rekomandimet operative për rritjen e sigurisë së fluturimeve me qëllim që tragjedi të tilla të mos përsëriten më kurrë në të ardhmen.