Një skemë e ndërlikuar ushqimi është përpunuar për pjesëmarrësit e eksperimentit "Mars-500", që imiton ekspeditën ndërplanetare. Kjo është tejet e rëndësishme për përpunimin e një racioni të drejtë për fluturimin e vërtetë drejt Planetit të Kuq. Midis gatimeve të zgjedhura për pjesëmarrësit e eksperimentit do të ketë mish gjedhi me qepë, mish derri të grirë me vezë, sandër (peshk) me salcë domateje, ëmbëlsira dhe fruta të thata si dhe turshi të ndryshme. Është parashikuar racioni ushqimor 3-ditor, domethënë po ato ushqime do të përsëriten një herë në çdo 3 ditë. Varianti i parë përpilohet me qëllim të studimit të proceseve të metabolizmit. Varianti i dytë, kur do të imitohet puna në sipërfaqe të Marsit, përbëhet nga produkte të gatshme, që nuk kërkojnë përgatitje. Lejohet vetëm përdorimi i pijeve të nxehta. Fluturimi virtual në Planetin e Kuq do të fillojë në qershor të vitit 2010. Tre pjesëmarrës të këtij eksperimenti do të përfaqësojnë Rusinë, dy Evropën dhe një pjesëmarrës tjetër-Kinën.

                                                                                            ***

Agjencia kozmike japoneze ka ndërmend të lëshojë satelitin eksperimental "IKAROS" me velë diellore. Në kozmos sateliti do të duhet të hapë një kuadrat gjigand të përbërë prej një cipe, membrane shumë të hollë të polimerizuar me diagonale rreth 20 metra dhe do të niset në drejtim të Venerës. Ideja e fluturimeve në kozmos me velë diellore lindi në vitin 1920 në Rusi dhe i përket njërit prej pionierëve të industrisë së ndërtimit të raketave Feidrik Cander. Projekti i parë praktik i jahtit kozmik me tërheqje diellore u realizua në Bashkimin Sovjetik dhe u quajt "Regata kozmike". Ai nuk u arrit të çohet deri në fund për shkak të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Duhet thënë, se mundësitë e velave diellore hapin perspektiva të mëdha për përdorimin e tyre praktik. Kështu, ato mund të mbajnë të fiksuar në pikën e duhur stacionin fluturues shkencor në hapësirë, i cili do të njoftojë në mënyrë operative mbi shpërthimet që ndodhin në Diell. Kjo do të japë mundësi për tu parapërgatitur për përballimin e stuhive magnetike dhe do të reduktojë, për shembull, probabilitetin e katastrofave ajrore.

Shiko galerinë fotografike