Në Soçi - kryeqytetin e lojrave Olimpike Dimërore të vitit 2014 - u hap Olimpiada Kulturore. Sipas rregullave të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar ajo starton 4 vite para zhvillimit të Lojrave Olimpike dhe Paralimpike. Çdo vit do të ketë temën e vet të veçantë, ndërsa në finalen e Olimpiadës Kulturore do të demonstrohet gjithçka më mbresëlënëse dhe më e bukur e saj. Aktualisht në Soçi startoi Viti i Kinematografisë. Në kuadrin e Festivalit të Filmit, të cilin e kryeson patinatorja legjendare Irina Rodnina, do të shfaqen filmat kushtuar fateve të trajnerëve të famshëm, yjeve të kampionateve olimpike dhe botërore, historive të skuadrave. Të gjithë këta filma do të shfaqen në kinematë më të mira të Soçit. Dhe duhet thënë, se banorët e qytetit dhe mysafirët e tij do të mund ti shohin ata falas. Presidenti i Komitetit Organizativ Soçi-2014 Dimitri Çernishenko vuri në dukje, se të gjitha ngjarjet do të jenë të denja që ti demonstrojnë botës Rusinë e re, e cila zotëron vlera të mëdha, të jashtëzakonshme kulturore. Finalja e Olimpiadës Kulturore do të zhvillohet njëkohësisht me Lojrat Olimpike dhe Paralimpike në Soçi, kur nga të gjitha ngjarjet paraardhëse do të zgjidhen ato më mbresëlënëset. Që tani vërehen ato ndryshime pozitive që ndodhën falë faktit se Soçi fitoi të drejtën historike për të zhvilluar Olimpiadën e vitit 2014. Të gjitha objektet që po ndërtohen janë shumëfunksionale dhe pas përfundimit të Olimpiadës do të funksionojnë si salla koncertesh dhe ekspozitash. Tashmë Soçi do të mund të rivalizojë me kryeqytetet kulturore të botës për nga pikëpamja e larmishmërisë së programit kulturor dhe gatishmërisë së infrastrukturës për të organizuar aktivitete ndërkombëtare të nivelit më të lartë.