Shkarko audiofailin

Kryeministri grek Jorgos Papandreu  (Γιώργος Παπανδρέου) nuk përjashtoi ngritjen e padisë nga ana e Greqisë kundër bankave investuese të SHBA-s. Shumica e qytetarëve të vendit mendojnë, se organizatat huadhënëse amerikane luajtën një rol të qenësishëm në thellimin e krizës ekonomike, - gjë pas së cilës qeveria greke u detyrua të ndërmarrë reduktimin e theksuar të pagesave sociale. Kryetari i kabinetit të ministrave vuri në dukje, se hetimi parlamentar duhet të verifikojë në se kanë patur apo jo vend fakte mashtrimi dhe shfrytëzimi të gjithëfarë skemash të errëta gjatë ushtrimit të veprimtarisë së bankave të huaja në territorin e Greqisë. Vendi tashmë ka marrë dy këste (tranche) valutore në kuadrin e paketës së ndihmës së dhënë nga ana e partnerëve në BE së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). Gjithsej për 3 vjet nga këto institute Athina do të marrë 110 miliardë euro. Në këmbim të kësaj autoritetet greke premtojnë të reduktojnë rrogat dhe pensionet si dhe të ngrenë tatimet. Në këtë sfond kërkimi i armikut të jashtëm, fajtor për të gjitha të këqijat, po bëhet tej mase aktual. Ja se ç'thotë bashkëpunëtori shkencor i Qendrës ruse të studimeve europiane të Institutit të Ekonomisë Botërore dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare Sergei Utkin: "Në këtë rast është krejtësisht evidente dëshira për të gjetur ndonjë dash kurbani, me qëllim që ti tregohet popullsisë se, ja kush është fajtori, dhe të gjendet ai përtej kufijve të elitës politike greke. Unë nuk jam aspak i prirur të mendoj, se kjo iniciativë do të ketë vazhdim serioz. Zor se akuza të tilla do të jenë me aftësi jetike, në planin e paraqitjes së ndofarë pretendimeve materiale. Por për një periudhë të caktuar, si veprim, manovrim taktik, duke marrë parasysh pakënaqësinë në rritje midis popullsisë ndaj masave të rrepta që po ndërmerren nga qeveria greke, një gjë e tillë është plotësisht e kuptueshme. Ja, pra një taktikë e tillë origjinale po vihet në përdorim", tha Sergei Utkin. Ndërkohë, vendin e euforisë që mbretëroi në tregje pas shpalljes së planit për shpëtimin e Greqisë nga kolapsi financiar, sërish e zuri frika. Investitorët rifilluan të shprehen mbi shpërbërjen e mundur të eurozonës. Duke marrë parasysh vëllimin kolosal të huave të jashtme, falimentimi i Greqisë mund të shtyhet për njëfarë kohe, por do të jetë i pashmangshëm megjithatë, mendojnë analistët. Se në ç'mënyrë do të arrijë vendi të paguajë më tepër se 300 miliardë dollarë, i cili nuk ka, në veçanti, kurrfarë rezervash lëndësh të para, është krejtësisht e pakuptueshme. Një numër gjithnjë e më i madh ekonomistësh po arrijnë në konkluzionin, se  dalja e Greqisë nga Eurozona dhe rikthimi i saj tek dhrahmia është vetëm çështje kohe. Ndërsa pas saj, në një gjendje të tillë mund të ndodhen shumë shpejt Spanja dhe Portugalia.