Shkarko audiofailin

Në luftën për ruajtjen e zonës së euros si dhe vetë Bashkimit Europian, në tërësi, Komisioni Europian vendosi, me sa duket nga të gjitha, të kalojë nga fjalët tek veprat. Në veçanti, këto ditë u bë publike paketa e masave antikrizë, kryesorja prej të cilave është kërkesa ndaj vendeve-anëtare të BE për të paraqitur në fillim të çdo viti në Komisionin Europian projektet e buxheteve të veta kombëtare për bashkërendim. Kështu, mos erdhi vallë për Europën "e madhe" ora për veprime të vendosura? Ka shumë mundësi të jetë pikërisht kështu. Në fakt, përveç asaj që thamë më sipër, anëtarëve të klubit kryesor europian u ngarkohet detyra për të bashkërenditur në mënyrë më të hollësishme midis tyre politikën ekonomike. Në rast të shkeljes prej ndokujt të tezave të Paktit të stabilitetit Komisari europian për çështjet e politikës ekonomike dhe valutore Olli Rehn duhet të ngarkohet me plotëfuqishmërinë për të gjobitur automatikisht shkelësit. Përveç kësaj, u propozua të ndalohet përkohësisht dhënia e ndihmës financiare nga fondet e BE për rajonet e dobëta nga ana strukturore. U përgatitën gjithashtu një sërë masash për parandalimin e falimentimit të mundur të shteteve të Europës unike. Në vështrim të parë duket sikur rrugëdalja nga qorrsokaku u gjend. Por në qoftë se disa i quajnë idetë e Kreut të Komisionit Europian José Manuel Barroso "hapin më të guximshëm" në rrugën drejt integrimit të plotë të Europës, të tjerë shprehen mbi "fundin e unitetit europian". Duke pranuar, se BE po përjeton aktualisht krizën më të rëndë në gjithë historinë e vet, Drejtori i sektorit të integrimit të Institutit të Europës Nikollai Kaveshnikov, për shembull, preferon të përmbahet nga vlerësimet përfundimtare: "Nuk dihet me saktësi se ç'duhet bërë. Konkluzioni logjik që rrjedh nga e gjithë kjo situatë e krijuar është ky: nevojitet  një politikë më e rreptë makroekonomike dhe buxhetore. Por jo të gjitha vendet, duhet thënë, janë të gatshme të përballojnë raundin e radhës të aktiviteteve të integrimit. Përsa i përket debateve, ato janë gjëja më e keqe që mund të mendohet. Në sipërfaqe do të dalin përsëri konfliktet ekzistuese midis ithtarëve dhe kundërshtarëve të unitetit. Varianti optimal do të ishte përpunimi pa debate i politikës më të rreptë ekonomike", tha Nikollai Kaveshnikov. Një mendim krejtësisht të papritur në lidhje me atë që po ndodh aktualisht në Europë shprehu në faqet e gazetës fraceze "Le Figaro" filozofi  André Glucksmann. Sipas fjalëve të tij, Bashkimi Europian "e ka humbur rrugën e vet", meqenëse ndodhi "pagëzimi i Europës gjermano-ruse". Sipas mendimit të tij, duhet rilançimi i motorit tradicional gjermano-francez të integrimit europian. Nikollai Kaveshnikov është më se i bindur, se për këtë nuk janë aspak fajtore marrëdhëniet e mira midis Rusisë dhe Gjermanisë. Thjesht, me përpjekjet e "euroentuziastëve" BE u rrit dhe u shndërrua "në një konstruksion kaq të madhe e heterogjen" sa që bile as vende të tilla të mëdha si Franca dhe Gjermania nuk po mund të shërbejnë dot si motor lëvizës i tij.