Genadi Onishenko. Akademik i Akademisë së Shkencave të Mjekësisë të Rusisë. Kryemjeku sanitar shtetëror i Rusisë. Ata persona, të cilët e patën zënë përpara tij këtë post, praktikisht nuk i mbajnë mend më. Genadi Onishenko e shfaqi veten jo vetëm si mjek epidemiolog i zoti, por edhe si politikan i spikatur, i shkëlqyer.

U bë i njohur publikisht në vitin 2000, kur kërkoi forcimin e kontrollit shtetëror ndaj prodhimit dhe reklamës së birrës. Mendon, se alkoolizmi i shkaktuar nga përdorimi i birrës nuk është aspak më i mirë se sa varësia nga pijet e tjera alkoolike. Që nga ajo kohë emri i tij duket vazhdimisht në faqet e shtypit periodik.

Politologu i njohur rus Gleb Pavllovskij në këtë mënyrë e karakterizoi fenomenin Onishenko: "Tek ne nuk ka patur kurrë ndonjëherë më parë ndonjë figurë publikisht vepruese kryemjeku sanitar. Kur ajo duket, atë fillojnë ta përdorin në favor të interesave të veta autoritetet vepruese, ta shfrytëzojë, ta fusë në lojë lobi publik. Ndërsa në qoftë se ti je person me popullaritet, atëhere duhet të dalësh vazhdimisht me iniciativa të ndryshme".

Si drejtues i dikasterit për mbrojtjen e konsumatorëve, Genadi Onishenko ka ndaluar importin e verërave gjeorgjiane dhe moldave në territorin e Rusisë; ka ndaluar përkohësisht më se një herë importimin e kofshëve të pulave nga SHBA; ka refuzuar hyrjen në vend të produkteve të qumështit nga Bjellorusia. Pak kush mund të vërë në dyshim, se kërkesat e tij ishin të argumentuara për nga pikëpamja mjekësore. Por megjithatë shumë tërhoqën vemendjen ndaj faktit, se sanksionet e vendosura nga ai shpesh përkonin në  kohës me periudhat e tensionuara që krijoheshin në marrëdhëniet midis Rusisë dhe vendeve përkatëse.

Si Kryemjek sanitar i vendit ai ka tërhequr vemendjen ndaj problemeve të pneumonisë atipike (SARS), gripit të shpendëve dhe më pas atij të derrave. Në vitin 2008 propozoi ndalimin në territorin e Rusisë jo vetëm të përdorimit, por edhe prodhimit të cigareve. Vetë Onishenko, me që ra fjala, jo vetëm që nuk pi duhan, por nuk përdor absolutisht asnjë edhe një pije alkoolike apo stimulatorë të tjerë.

Lindi Genadi Onishenko në Kirgistan, prej nga është me origjinë nëna e tij. Arsimin e lartë e mori në Institutin e Mjekësisë të Doneckut (aktualisht Ukraina) - në vendlindjen e babait të vet. Në atë kohë të gjitha këto vende ishin territor i Bashkimit Sovjetik. E rekomandoi veten si shkencëtar i fortë epidemiolog, ka punuar në rajone të ndryshme të vendit, ndër të tjera edhe në Çeçeni. Njëherë në të hyrë të kryeqytetit çeçen - Grozni, disa persona me automatikë në duar e fytyrë të mbuluar me maska ndaluan makinën e tij dhe morrën peng atë dhe shoferin. Kurrfarë kërkesash nuk iu imponuan, kurse pas njëfarë kohe ata, thjesht, i lanë të lirë në mes të maleve pa makinë, pa dokumente dhe pa para në xhep. Vetë Onishenko mendon, se arriti ti shpëtojë vdekjes për arsye se diti "t'ua mbushë mendjen, ti bindë" rrëmbyesit. "Unë nuk e di se sa jetë kam patur përpara kësaj (reincarnation-rimishërim), - thotë ai, - por në vetëdijen time jeta e tanishme është tashmë e dyta. Kështu që mund të them, se ajo nuk ishte provë e lehtë në jetën time. Por megjithatë më dha mundësinë për të riperceptuar shumë gjëra".  

Shiko galerinë fotografike