Viktor Sadovniçij. Akademik. Që nga viti 2008 është bërë Nënpresident i Akademisë së Shkencave të Rusisë. Ai është aktualisht Rektor i Universitetit Shtetëror të Moskës (USHM), një ndër më të mëdhenjtë në vend. Karriera e tij është e lidhur plotësisht me USHM. Fillimisht ai ishte student i këtij univesiteti, më pas u bë aspirant, assistent, docent, profesor... Në postin e rektorit ai u zgjodh në vitin 1992. Viktor Sadovniçij i përmbahet në mënyrë të vendosur e me besnikëri të plotë parimeve të arsimit sovjetik. Ai mendon, se studentët duhet të marrin jo vetëm shprehitë, përvojën e punës me informacionin, por dhe njohuri të thella fondamentale (themelore).

Lindi Viktor Sadovniçij në vitin 1939 në një fshat nën qytetin Harkov (aktualisht Republika e Ukrainës) në një familje punëtori. Vitet e para të fëmijërisë së tij i ranë periudhës së luftës. Jetuan në okupacion, pa babanë, i cili shkoi në front, ndërsa u kthye prej andej invalid. Familja jetonte në varfëri të madhe, prandaj që në moshën 13 vjeçare Viktori u detyrua të punonte si ndihmës kombajner, kurse kur mbushi të 17 në minierën e qymyrgurit. Në moshën 19 vjeçare ai filloi studimet në USHM në fakultetin mekaniko-matematik.

Punët shkencore të Viktor Sadovniçit kanë të bëjnë me kapituj të ndryshëm të matematikës. "Tani nuk ka asnjë njeri të tillë që të mund të dijë çdo gjë, - pranon ndershmërisht ai. - Ja, për shembull, Teorema e Fermat-it (Pierre de Fermat, matematikan francez) u arrit të zgjidhet me metoda të vështira për tu kuptuar tani nga matematikani që nuk merret me topologjinë algjebrike apo teorinë e numrave".

Ndër studimet e tij më të lehta për tu perceptuar nga njerëzit jo specialistë do të përmendim punimet për imitimin e lëvizjes së anijes kozmike. Mbi bazë të këtyre punimeve shkencore u arrit të konstruktohet aparati stërvitor, që imiton, simulon mungesën e peshës (mungesën e forcës tërheqëse) në kushte tokësore. Ai paraqet në vetëvete një centrifugë shumë të fuqishme. Njeriu, kur ulet në këtë kabinë, provon të gjitha ndjesitë sikur të ishte vërtet në kozmos. Në këtë aparat stërvitor trenazhimi janë përgatitur për realizimin e fluturimeve shumë kozmonautë rusë si dhe ekuipazhe të përbashkëta. Për këto punime Viktor Sadovniçij u nderua me Çmimin shtetëror të Bashkimit Sovjetik.

Bashkëshortja e Viktor Sadovniçit, Natalia, është ish shoqe kursi e tij. Ata kanë tre fëmijë: një djalë - të quajtur Juri dhe dy vajza- Innën dhe Annën. Të gjithë ata kanë mbaruar gjithashtu fakultetin mekaniko-matematik të USHM.

Midis hobi-ve të Viktor Sadovniçit mund të përmenden: fotografia, librat, ngarja e automobilit (ai pohon, se nuk e thërret kurrë shoferin në ditët e pushimit të fundjavës) si dhe kopshti personal. "Unë kam rritur me duart e mia dy kopshte të mrekullueshëm, thotë me krenari ai. -  Pemët dhe bimët në kopshtin e parë më ngrinë në vitin 1978. Ndërsa tani po merrem me të dytin. Pas kësaj pune jam tej mase i apasionuar. Mundohem të merrem sa më shumë me punë fizike, të paktën aq sa më jepet mundësia për një gjë të tillë".