Shërbimet speciale ruse përcaktuan rrethin e personave që kishin gisht në organizimin e akteve terroriste në metronë e Moskës. Inkursioni banditesk u realizua më 29 mars: në mëngjes në metro buçitën 2 shpërthime - në stacionet "Llubjanka " dhe "Park kulturi". Si rezultat gjetën vdekjen 40 persona, mbi 100 të tjerë pësuan dëmtime e trauma të rënda. Aktet terroriste u realizuan nga 2 femra kamikaze. Udhëheqja e vendit shtroi përpara dikastereve ushtarake detyrën e evidentimit dhe asgjesimit të të gjithë atyre që kishin gisht në këtë akt kriminal. Hetimi avancoi në mënyrë të qenësishme në këtë drejtim. Javën e kaluar bashkëpunëtorët e milicisë së qarkut të Periferive të Moskës arritën të zbulojnë apartamentin që patën marrë me qira bashkëpunëtorët e kamikazeve. Si një ndër ta u njoh banori i rajonit Hasavjurt të Dagestanit Ahmed Rabadanov. Mbi punën e bërë i raportoi Presidentit Dimitri Medvediev Kreu i Shërbimit Federal  të Sigurimit Aleksandër Bortnjikov: "U përcaktuan dhe u identifikuan të gjithë pjesëmarrësit e grupit banditesk, të cilët kanë gisht në organizimin e shpërthimeve në metronë e Moskës - si ekzekutuesit e drejtpërdrejtë të tij, ashtu dhe organizatorët. Gjatë tentativës për ndalimin e tyre, tre pjesëmarrësit të grupit banditesk, ndër të cilët ndodhej edhe personi që shoqëroi terroristet kamikaze nga Dagestani në Moskë dhe që instruktoi personalisht njërën nga ato për realizimin e aktit terrorist brenda në metro, bënë një rezistencë të tërbuar të armatosur dhe u likuiduan. Veprimet kërkimoro-hetimore ndaj personave të tjerë të bandës ilegale po vazhdojnë. Siç deklaroi Kreu i Shërbimit Federal të Sigurimit, të gjithë ata njihen tashmë me emër e mbiemër.