Shkarko audiofailin

Metroja e Moskës, e cila me të drejtë të plotë ka merituar lavdinë e më të bukurës në botë, më 15 maj mbush plot 75 vjet. Metroja është transporti kryesor dhe më i sigurt i kryeqytetit rus. Për nga intensiteti i përdorimit ajo mbetet pas vetëm metrosë së Tokios. Në 12 linjat e metrosë së Moskës, me gjatësi të përgjithshme prej më tepër se 298 kilometrash, janë vendosur 180 stacione. Linja e parë me itinerar nga stacioni "Sokolniki" e deri në atë "Park kulturi" u hap më 15 maj të vitit 1935. Pasagjerët menjëherë i befasoi, i mrekulloi bukuria e pallateve të nëndheshme plot dritë, luksi i garniturave, stolive, veshjeve të mureve të stacioneve. Vetëm për veshjen e faqeve të stacioneve u shfrytëzuan 22 mijë metra katrore plaka mermeri. Dhe duhet thënë se u shfrytëzuan rreth 20 lloje mermeri nga gurore të ndryshme të Kaukazit, Altait, Uralit dhe Azisë së Mesme si dhe granit, rhodonite, oniks dhe materiale të tjera, tregon arkitektja Natasha Dushkina, mbesa e autorit të dekorit të shumë stacioneve të metrosë Aleksei Dushkin: "Në asnjë metro të botës nuk është përdorur për dekorin e stacioneve sinteza e arteve të ndryshme. Për herë të parë në stacionet e metrosë u dukën skulptura, mozaikë, murale", tha ajo. Është vështirë të imagjinohet se të gjitha këto punime janë bërë, praktikisht, me dorë. Për shembull, puna e shtruesve dhe muratorëve të betonit nuk ishte e mekanizuar asaj kohe. Betonin e sapopërgatitur e transportonin me kova dhe tezga. Nuk mjaftonin çekanët e shpimit dhe tunelet hapeshin me kazma. E megjithatë, u arrit të ndërtohen stacione me bukuri mahnitëse. Sigurisht, në shumë gjëra kjo u bë e mundur falë zgjidhjeve unikale inxhinierike. Në fakt, në Moskë u ndërtua një qytet i dytë i nëndheshëm. Në projektimin dhe realizimin e dekorit artistik të stacioneve morrën pjesë piktorët dhe arkitektët më të mëdhenj të Bashkimit Sovjetik të tillë si: Shusjev, Dushkin, Korin, Lansere, Dajneka. Falë përpjekjeve të tyre u realizuan kryevepra të vërteta. Stacionet «Красные ворота» ("Portat e kuqe (të bukura)", «Кропоткинская» dhe «Маяковская» ("Majakovskaja") aktualisht hyjnë në listën e monumenteve të arkitekturës dhe ndërtimit që ruhen nga shteti. Nuk rreshti ndërtimi i metrosë edhe gjatë viteve të Luftës së Madhe Patriotike. Në Leningradin e mbërthyer në darën e bllokadës fashiste mozaikët për stacionet e reja të metrosë së Moskës vazhdonte ti krijonte arkitekti Aleksei Frollov sipas skicave të piktorit të famshëm Aleksandër Dajneka. Pasi përfundoi punën në vitin 1942 Aleksei Frollov vdiq nga uria. Ky, sigurisht, është një fakt i habitshëm, tronditës historik. Të gjitha forcat u drejtuan për atë, që të ndërtohen stacione të tilla që ti frymëzonin njerëzit, që ata të mund të rezistonin dhe të triumfonin në këtë luftë të tmerrshme. Metroja e Moskës është me të vërtetë një momument unikal arkitektonik dhe artistik. E tillë u mendua të realizohet ajo këtu e 75 vjet më parë.