Oleg Mitjaev. Muzikant, interpretues i këngëve të veta. Në Rusi këngëtarë të  tillë i quajnë "bardë". Lëvizja e bardëve lindi që në kohërat sovjetike. Ata mblidheshin në festivale që zhvilloheshin nën qiell të hapur, vendosnin çadrat e kampit dhe këndonin nën shoqërimin e kitarës kompozimet e veta. Në vitin 1978 Oleg Mitjaev u bë laureat i një festivali të tillë që u zhvillua në rezervatin e Imenskut, në zonën e ultësirave të Uralit Jugor. Ai interpretoi atëhere këngën "Sa mirë që ne të gjithë jemi mbledhur sot këtu" («Как здорово, что все мы здесь сегодня собрались»). Që prej asaj kohe ajo u bë himni jo zyrtar i lëvizjes së bardëve.

Oleg Mitjaev lindi në vitin 1956 në familjen e një punëtori të uzinës metalurgjike të prodhimit të tubave në Çeliabinsk. Fillimisht mori specialitetin e montuesit të pajisjeve elektrike, më pas kreu shërbimin ushtarak dhe vazhdoi më tej studimet e larta në Institutin e Fizkulturës, të cilin e mbaroi me diplomë të kuqe dhe mori specialitetin "trainer noti".

Gjatë kohës së studimeve në institut ai filloi të shkruajë kënget e veta të para, kurse në vitin 1984 filloi karrierën e këngëtarit profesionist dhe aktorit. Pyetjes se prej nga burojnë kënget e tij ai i përgjigjet: "Me qëllim që të shkruash ndonjë gjë duhet, thjesht, të rrish patjetër shtrirë në divan, të takohesh me miq e shokë, të dashurosh, të pish, por jo rëndë, të frekuentosh banjën ruse dhe të rrish kot pa punë, të bësh dembelin. Ja, pa të gjitha këto nuk mund të bëhet dot asgjë në planin e krijimtarisë".

Koncerti i tij i zakonshëm përbën komunikimin live 2-3 orësh me publikun, përgjigjet ndaj pyetjeve që i vijnë në dorë me copa letre nga salla, këngët në interpretim live. Tekstet poetike të këngëve të tij aspak të thjeshta, me humor dhe trishtim, është vështirë të shpjegohen në gjuhë të tjera e të kuptohen nga të huajt. Oleg Mitjaev kujton: "Për shembull, publiku gjerman nuk mundi të kuptonte dot këngën për thikat e pa mprehura. Për dëgjuesin rus gjithçka është e qartë: në qoftë se gruaja i ka thikat e pa mprehura, kjo do të thotë se në shtëpi nuk ka dorë burri. Kurse gjermanët më pyetën mua: "Po ka pajisje elektrike mprehëse që mund të blihen pa problem në dyqan. Përse vuan kaq shumë për shkak të këtij problemi ajo gru? Na lejoni t'ia blejmë ne asaj këtë pajisje".

Në vitin 1999 Oleg Mitjaev-it iu dha titulli më i lartë në vend, ai i Artistit të Popullit të Rusisë. Kurse pas një viti ai organizoi fondin që merret me mbështetjen e kulturës. Ndryshe nga shumë bardë, për të cilët kënga është thjesht hobi, argëtim, zbavitje, Mitjaev fiton jo pak nga koncertet e veta.

Oleg Mitjaev i ka kaluar aktualisht të 50-at. Ai është i martuar tani për të tretën herë, ka 4 fëmijë dhe dy nipër. Përveç këngëve, një tjetër hobi e tij është hedhja e thikave. Pas këtij sporti u apasionua që në fëmijëri të vet, kur shikonte filmat me kavboy. Dhe kjo gjë, siç konfirmon ai, i hyri fort mirë në punë gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak. Në garat e zhvilluara me ushtarët e tjerë ai i siguronte jo rrallëherë vetes ndonjë mëngjes suplementar.

0 "Gjënë më të rëndësishme unë e arrita në momentin kur linda në dritë, thotë ai. - Thjesht, të jetosh në këtë botë është në vetëvete një lumturi e madhe. Kurse pjesa tjetër e lumturisë konsiston në atë, që të dish të eliminosh ato vogëlsira të cilat të pengojnë të jetosh jetën tënde...".