Sot në  Mezhdureçensk u zhvilluan ceremonitë e para funerale për viktimat që gjetën vdekjen si rezultat i avarisë në minierën "Raspadskaja". Siç njoftuan në kompaninë e qymyrgurit "Raspadskaja", u varrosën 5 prej atyre që u arrit të nxirren mbi sipërfaqe në ditën e parë të operacionit shpëtues. Ndërkohë numri i viktimave të tragjedisë po vazhdon të rritet: në listën e trishtueshme janë shënuar tashmë 52 emra. Natën shpëtuesit nxorrën mbi sipërfaqe trupat e 11 minatorëve të tjerë. Fati i 47 personave akoma nuk dihet. Operacioni kërkimoro-shpëtues nuk ndërpritet as edhe një minutë, shanset për të gjetur nën rrënoja njerëz të gjallë minimizohen me kalimin e çdo ore. Siç njoftuan në Ministrinë e Situatave të Jashtëzakoshme, dy pikat më të rrezikshme të galerisë janë pikërisht atje ku në momentin e shpërthimit me siguri ndodheshin minatorë dhe ato mund të përmbyten nga uji në çdo moment. Duam t'ju kujtojmë se në minierën "Raspadskaja" ndodhën dy shpërthime me një interval kohor prej disa orësh. Dhe duhet theksuar këtu, se fuqia e shpërthimit të dytë ishtë më e madhe krahasuar me të parin. Versioni mbi faktorin njerëzor, i cili mund të jetë bërë shkak i avarisë në minierën "Raspadskaja" në Mezhdureçensk, përjashtohet. Me një deklaratë të tillë doli Kryeministri i Federatës Ruse Vladimir Putin, i cili zhvilloi takim me një grup të afërmish të minatorëve të vrarë në Novokuzneck të martën: "Gjatë hetimeve të ngjarjeve të tilla gjithmonë i kushtohet një vëmendje e veçantë studimit të gjithanshëm të problemit, ndër të tjera edhe të ashtuquajturit faktor njerëzor-këtu kihet parasysh sjellja e pakujdesshme me zjarrin. Por ky version mund të presupozohej gjatë shpërthimit të parë. Unë mendoj, vazhdon më tej Vladimir Putin, se në shpërthimin e dytë ky supozim thjesht përjashtohet. Menjëherë pas shpërthimit të parë në galeritë e minierës zbritën shpëtuesit. Dhe në situatën konkrete, sigurisht që asnjë lloj pakujdesie si me zjarrin dhe asshtu dhe me pajisjet e minierës nuk mund të kishte vend kurrsesi. Versioni në fjalë, thjesht, përjashtohet, theksoi Kryeministri. Bashku me këtë Vladimir Putin i kërkoi Kryetarit të Komitetit Hetimor të Rusisë Aleksandër Bastrikin të fluturojë urgjentisht për në qarkun e Kemerovos në vendin e avarisë me qëllim që tu përgjigjet pyetjeve të familjarëve të viktimave, ndër të tjera dhe atyre që kanë të bëjnë me organizimin e respektimit të normave të sigurisë gjatë nxjerrjes së qymyrgurit. Kryeministri i shprehu ngushëllimet e thella familjarëve të minatorëve që gjetën vdekjen në minierën "Raspadskaja" dhe i siguroi, se shteti do të plotësojë të gjitha detyrimet e veta përpara të afërmve të viktimave".

Shiko galerinë fotografike