Shkarko audiofailin

Më 9 maj ne kremtojmë përvjetorin e 65 të Fitores mbi Gjermaninë fashiste në Luftën e Dytë Botërore. Në arritjen e fitores përfundimtare mbi "murtajën kafe" një kontribut të paçmuar dhanë popujt e Rusisë dhe republikave të tjera të ish Bashkimit Sovjetik, të cilët flijuan në këtë luftë 27 milionë jetë bijsh e bijash të veta. Në luftën e tendosur, të ashpër pothuajse 4 vjeçare kundër hordhive hitleriane ata jo vetëm që mbrojtën pavarësinë e vet, por çliruan edhe shumë shtete të Europës. Por ne nuk lëmë kurrë në harresë faktin, se një kontribut të qenësishëm dhanë në arritjen e fitores edhe popujt e vendeve të tjera pjesëmarrëse të koalicionit antihitlerian. Përfaqësuesit e tyre kremtojnë sot së bashku me ne në Moskë Ditën e Fitores dhe nderojnë kujtimin e ndritur të të rënëve. Dhe ja, tashmë për të 65 herë me radhë në këtë ditë, më 9 maj, ne nderojmë veteranët e frontit dhe prapavijës të cilët arritën Fitoren e Madhe, kujtojmë ushtarët e rënë në fushat e betejave dhe banorët paqësorë - viktima të luftës dhe fashizmit. Në valët e radiokompanisë "Zëri i Rusisë" tingëllon programin "Minuta e heshtjes".

Në Sheshin e Kuq të Moskës po zhvillohet programi solemn "Për nder të  kujtimit të atyre viteve të lavdishme". Ndërsa të gjithë kanalet televizive kryesore të Rusisë tregojnë Zjarrin e Amëshuar që flakëron pranë përmendores kryesore të ngritur për nder të Fitores - varrit të Ushtarit të Panjohur rrëzë murit të Kremlinit.

Zjarri i Amëshuar ... Atë s'do ta fryjnë dot erërat, nuk do ta shuajnë dot shirat, nuk do ta fikë dot koha. Dridhja e gjallë e Zjarrit të Amëshuar mishëron kujtimin e pavdekshëm, nderimin dhe mirënjohjen e përjetshme të të gjallëve ndaj atyre që s'janë më midis nesh. Me dritën e flakës së tij, me dritën e pikëllimit, trishtimit dhe dashurisë sonë ndriçohen emrat e të rënëve. 

Në vendin tonë s'ka familje që të mos ketë humbur në vitet e luftës të afërmit e vet. Nuk ka shtëpi që të mos jetë prekur nga brenga e hidhërimi. Në këtë ditë ne kujtojmë ata që u përleshën me armikun në frontet e luftës, që luftuan në radhët e njësive partizane, që punuan në prapavijë - të gjithë ata të cilët nuk kursyen forcat, shëndetin dhe jetën e vet në emër të Fitores.

Përpara kujtimit të ndritur të atyre që në emër të atdheut të përbashkët - planetit Tokë flijuan jetën e vet me qëllim që të forconin vëllazërimin, afrinë shpirtërore, le të përpiqemi të mishërojmë në jetë ëndërrat e të rënëve për lumturinë e thjeshtë njerëzore për brezat e ardhshëm. Për ne me ju, o njerëz!

Në këtë ditë shprehet në çdo familje, buron nga çdo zemër njerëzore mirënjohja e përjetshme ndaj atyre që nuk u kthyen nga lufta. Në të gjithë tempujt e tokës sonë, në të gjitha gjuhët e njerëzve që jetojnë në të, tingëllojnë fjalët e lutjeve të përshpirtjes. Ato mund të jenë të ndryshme për çdo konfesion, por megjithatë kuptimi i tyre është i njejtë: "Në mbretërinë Tënde të lumturuar hyjnore prehje të përjetshme falu, o Zot, robërve të Tu të ndjerë që gjakun e vet derdhën dhe jetën e tyre flijuan në fushën e betejës! Dhuroi atyre me bujari kujtimin e përjetshëm! Qoftë i nderuar kujtimi i tyre brez pas brezi! I pavdekshëm le të mbetet kujtimi i tyre!"

0 Po afrohet minuta e heshtjes. I gjithë vendi ngrin në heshtje të thellë për të nderuar kujtimin e gjithë atyre që bënë therror jetën e vet në altarin e Fitores më  të Madhe të shekullit të XX-të.