Zëri i Rusisë  

Parada kryesore për nder të Fitores u zhvillua në Sheshin e Kuq në qershor të vitit 1945. Për një muaj, që u caktua për përgatitjen e saj, u qepën më tepër se 40 mijë komplete uniformash parade, u zhvillua përzgjedhja e pjesëmarrësve. Ndër ta u ndodhën më shumë se 16 mijë veta - ushtarë të thjeshtë dhe rreshterë, oficerë dhe gjeneralë. Të gjithë ata patën marrë pjesë në betejat e fronteve të Luftës së Madhe Patriotike. Përveç kësaj, seleksionimi i pjesëmarrësve të paradës u bë mbi bazë të kritereve jashtëzakonisht të rrepta: mosha - jo më tepër se 30 vjeç, shtati jo më pak se 176 centimetra, dekoratat e detyrueshme të luftës në gjoks dhe përgatitja e mirë rreshtore. Çdo front veprues caktoi për pjesëmarrje në Paradë nga një regjiment të konsoliduar. Ndërsa e pranoi paradën e parë të Fitores Mareshali legjendar i Bashkimit Sovjetik Georgi Zhukov hipur mbi kalë të bardhë. Thonë, se fillimisht ishte planifikuar që Paradën ta pranonte Stalini. Por Kryekomandanti Suprem asaj kohe i kishte mbushur të 65 dhe nuk zotëronte mjeshtërinë e duhur të kalërimit. Kulminacion i Paradës së vitit 1945 u bë përdhosja e flamujve të trupave të shpartalluara fashiste pranë Mauzoleut në Sheshin e Kuq. Kjo ceremoni u zhvillua nën ekzekutimin e ritmit perfekt të daulltarëve, me doreza të bardha, me qëllim që të theksohej neveria ndaj armikut të shpartalluar. Pas paradës dorezat u dogjën në mënyrë solemne. Mbi historinë e mëtejshme të paradave të Fitores tregon për "Zërin Rusisë" Drejtori i programeve informativo-analitike të Fondit të perspektivës historike Aleksandër Muzafarov. "Në vitet 40-të dhe në gjysmën e parë të viteve 50-të 9 Maji ishte festë, por jo ditë pushimi. Iu rikthye rëndësia dhe domethënia Festës së Fitores vetëm në vitin 1965, në përvjetorin e 20 të fitores, gjatë kohës së drejtimit të Sekretarit të Përgjithshën të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik Leonid Brezhnjev. Në vitin 1995, në përputhje me ligjin federal mbi përjetësimin e Fitores së popullit sovjetik në Luftën e Madhe Patriotike, u sanksionua tradita e zhvillimit të paradave ushtarake në kryeqytetin e Rusisë - Moskë, në qytetet Heronj dhe qytetet ku janë dislokuar shtabet e qarqeve ushtarake dhe flotave. Ndërsa që nga viti 2008 teknika ushtarake merr pjesë sërish në paradat në Sheshin e Kuq të Moskës.