9 maj:

Trupat e Frontit të I-rë Ukrainas, si rezultat i manovrës qëllimsynuese të formacioneve tankiste dhe atyre të këmbësorisë të ndërmarrë natën, arritën të thyejnë rezistencën e kundërshtarit dhe në orën 4 të mëngjesit çliruan nga okupatorët gjermanë kryeqytetin e Çekosllovakisë - Pragën. Të parat në qytet hynë njësitë pararojë të armatave të tankeve gardiste të gjeneralëve Leljushenko dhe Rriballko. Mbi Pragën e Artë (Zlatá Praha) u valëvit flamuri i Kuq. Përfundoi beteja e fundit e Luftës së Madhe Patriotike.

Mareshali i Bashkimit Sovjetik Georgi Zhukov kujtonte me kalimin e viteve: "U shemb përfundimisht shteti monstruoz fashist. Forcat e Armatosura Sovjetike dhe trupat e aleatëve shpartalluan njëherë e mirë fashizmin në Europë. Ky ishte fundi i shumëpritur dhe i gëzueshëm i Luftës së Dytë Botërore, e cila zgjati pothuajse 6 vjet".

Në këtë ditë Josif Stalini i shkroi Presidentit të SHBA Harry Truman si vijon: "Popujt e Bashkimit Sovjetik e vlerësojnë mjaft lart pjesëmarrjen e popullit mik amerikan në luftën e tanishme çlirimtare. Lufta e përbashkët kundër okupatorëve fashistë, e cila përfundoi me shpartallimin dhe disfatën e plotë të tyre, do të hyjë në histori si shembull i gjallë i bashkëpunimit ushtarak. Në emër të popullit sovjetik dhe Qeverisë Sovjetike Ju lutem ti përcillni popullit amerikan dhe ushtrisë heroike amerikane përshëndetjet më të ngrohta dhe urimet tona me rastin e fitores së madhe".

Popujt e Bashkimit Sovjetik e paguan me një çmim të tmerrshëm, jashtëzakonisht të shtrenjtë shpartallimin e nazizmit. Sipas të dhënave të fundit, humbjet e parikuperueshme përbënë 6,8 milionë ushtarakë të vrarë,  4,4 milionë të zënë rob e të humbur pa lënë gjurmë. Nuk do të mund të sqarohet dot fati edhe i pothuajse 500 mijë ushtarakëve, të cilët u mbytën, u dogjën në tanke, gjetën vdekjen gjatë goditjeve të përpikta të predhave të artilerisë mbi ta. Ndërsa humbjet e përgjithshme demografike (duke përfshirë këtu edhe humbjet në njerëz midis popullsisë paqësore civile) përbënë 26,6 milionë veta.