Sot bota muzikore kremton 170 vjetorin që nga dita e lindjes së kompozitorit të madh rus Pjotër Çajkovskij. Në krijimtarinë e tij kanë gjetur pasqyrim të gjitha gjinitë mizikore - që nga romancat e deri tek operat dhe simfonitë. Muzika e Çajkovskit në mënyrë tejet të sinqertë, mirëbesuese dhe të thjeshtë flet me njerëzit mbi gjërat më serioze, më të rëndësishme që i preokupojnë ata. Pjotër Çajkovskij u bë kompozitori i parë rus, i cili që në të gjallë të vet u njoh dhe fitoi famë edhe në Rusi, edhe në mbarë botën. Me entuziazëm të madh atë e prisnin në Angli, Gjermani, Francë, Çeki, Poloni, Austri, Zvicër, SHBA. Në jetë vetë autori ishte njeri jashtëzakonisht modest. Pas koncerteve triumfale në Pragë ai shkroi në ditarin e vet: "Sa shumë bujë e entuziazëm që pati dhe të gjitha këto nuk janë për mua, por për pëllumbeshën Rusi". Çajkovskij nuk ishte aspak njeri i përkëdhelur nga fati dhe as ambicioz. Por ai gjithmonë e kishte të qartë qëllimin e jetës së vet, të cilin ai e përcaktoi në këtë mënyrë: "Unë do të dëshiroja me të gjitha fuqitë e shpirtit tim që muzika ime të gjente përhapje të gjerë, që të rritej numri i njerëzve që e pëlqejnë atë, që gjejnë tek ajo ngushëllim dhe mbështetje". Ëndërra e kompozitorit u bë realitet. Aktualisht veprat e tij janë ndër më të interpretuarat në botë. Emri i Çajkovskit është përjetësuar në konkursin e prestigjshëm ndërkombëtar muzikor, në emrat e rrugëve dhe institucioneve mësimore të Rusisë. Kemi ne në vend edhe një qytet me emrin Çajkovskij.

Pjotër Çajkovskij. Koncerti i parë për piano dhe orkestër (Pjesa e I-rë). Solist Emil Gillels.

Shkarko audiofailin