7 maj:

Në pjesën më perëndimore dhe atë jugperëndimore të qytetit Moravska Ostrava në Çekosllovaki trupat e Frontit të 4-ët Ukrainas vazhdonin me sukses ofensivën. Tanket dhe këmbësoria arritën të çajnë linjën e ndërmjetme të mbrojtjes së gjermanëve.

Trupat e Frontit të I-rë Ukrainas si rezultat i një rrethimi të gjatë morrën plotësisht nën kontroll qytetin dhe fortesën Breslau. Garnizoni i rrethuar i armikut ndërmorri disa herë tentativa për çarjen e unazës së rrethimit të trupave sovjetike. Komanda sovjetike u dha ultimatum për kapitullim forcave gjermane. Pas negociatash jo të gjata garnizoni i kundërshtarit ndaloi rezistencën, hodhi armët dhe u dorëzua.

Nga kujtimet e Mareshalit të Bashkimit Sovjetik Georgi Zhukov: "Më 7 maj mua më telefonoi në Berlin Kryekomandanti Suprem (Stalini) dhe më njoftoi: "Sot në qytetin Reims gjermanët nënshkruan Aktin e Kapitullimit pa kushte. Barrën kryesore të luftës, - vazhdoi ai, - e mbajti mbi supet e veta populli sovjetik e jo aleatët, prandaj kapitullimi duhet të nënshkruhet në prani të Komandës supreme të të gjitha vendeve të koalicionit antihitlerian dhe jo vetëm të Komandës supreme të forcave aleate".

Nëpërmjet radios gjermane foli ministri imperial, konti Schwerin von Krosigk. Në mesazhin drejtuar qytetarëve të Rajhut të Tretë (Third Reich) ai deklaroi, se pas një lufte heroike pothuajse 6 vjeçare, e cila u zhvillua me një  qëndrueshmëri të pakrahasueshme me asgjë, forca e shtetit u thye nga epërsia numerike e kundërshtarëve tanë.

Në këtë ditë Winston Churchill i shkroi Josif Stalinit si vijon: "Presidenti është dakort që të shpallet me anë të radios mbi Ditën e Fitores në Europë më 9 të mëngjesit sipas orës së Uashingtonit. Kjo do të jetë ora 3 e ditës në Londër dhe 4 e ditës në Moskë. Dita e përcaktuar për këtë qëllim është e marta, 8 maji. Apo do të jetë më mirë që të shtyhet për të mërkurën, 9 majin?".