Zëri i Rusisë  


Shkarko audiofailin

Marinarët ushtarakë të anijes së madhe kundërnëndetëse "Marshall Shaposhnjikov" liruan cisternën e zaptuar nga piratët «Московский университет» ("Universiteti i Moskës"). Anëtarët e ekuipazhit, të gjithë qytetarë rusë, nuk pësuan dëm, piratët u arrestuan. Cisterna "Universiteti i Moskës" po lundronte nga Sudani për në Kinë e mbushur plot e përplot me naftë bruto me vlerë prej më tepër se 50 milionë dollarësh. Sulmi ndaj saj u ndërmorr pas asaj, kur patrulla ndërkombëtare, e cila garanton sigurinë e rrugëve tregtare detare në Gjirin e Adenit, e nxorri cisternën "Universiteti i Moskës"nga zona e rrezikut potencial. Cisterna e mbetur pa roje shoqëruese u sulmua nga piratët në mëngjesin e 5 majit. Për sa kohë ishte e mundur kapiteni i ekuipazhit njoftonte mbi atë ç'ka po ndodhte me anë të radiondërlidhjes. Ai arriti të lajmëronte mbi atë që ndodhi edhe anijen e madhe kundërnëndetëse "Marshall Shaposhnjikov", e cila ndodhej në atë moment në Oqeanin Indian. Ushtarakët menjëherë morrën kursin drejt vendit të ngjarjes, kurse ekuipazhi i cisternës "Universiteti i Moskës" ndërkohë u barrikadua në lokalet e brendshme të anijes. Prandaj ishte e pamundur të lidheshin më me të. Por më vonë në komunikim hynë vetë zaptuesit e cisternës. Ata paralajmëruan, se në rast tentative për t'ua marrë atyre me forcë gjahun e kapur, ata do të vrasin të gjithë marinarët rusë. Por vetë fakti se anija nuk lëvizte nga vendi jepte arsye për të logjikuar se piratët nuk arritën të kapin dot anëtarët e ekuipazhit. Dhe natën ushtarakët e repartit të destinacionit të posaçëm desantuan nga helikopteri në kuvertën e cisternës. Pasoi një përleshje e armatosur jo e gjatë. Si rezultat një pirat u vra kurse të tjerët u arrestuan, ndërsa cisterna "Universiteti i Moskës" u lirua nga pengu. Askush nga të 23 anëtarët e ekuipazhit nuk pësoi dëm, njoftoi Sekretarja e shtypit e kompanisë pronare të cisternës "Novoship" Serafima Shukshina: "Moment kyç për marrjen e vendimit mbi lirimin e anijes u bë siguria,  se ekuipazhi ndodhet i strehuar mirë, jashtë rrezikut, në vend të paarritshëm për piratët. Falë veprimeve të menduara mirë e ndërmarra në kohën e duhur nga ana e kapitenit dhe ekuipazhit, banditët nuk arritën të marrin dot peng as edhe një anëtar të ekuipazhit dhe të vënë në lundrim cisternën. Ky nuk është aspak zaptimi i parë i cisternave prej piratëve detarë. Anijet që lundrojnë ngadalë dhe janë pak të manovrueshme bëhen pre e lehtë dhe mjaft fitimprurëse për piratët, meqenëse për mallin e kushtueshëm pronarët e vaporëve shpesh herë pranojnë të paguajnë shpërblesën e kërkuar. Por shumë shpejt do ti jepet fund njëherë e mirë punës me pandëshkueshmërinë e piratëve, të cilët veprojnë në brigjet e Somalisë. Në fund të prillit Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën e propozuar nga Rusia për marrjen e masave suplementare në luftën kundër piraterisë detare. Sipas këtij dokumenti u morr vendimi për krijimin e gjykatës ndërkombëtare për ndjekjen penale të banditëve detarë. Që këtej e tutje piratët nuk do të mund ti shpëtojnë më dot shpagimit për bëmat e tyre.