Duma Shtetërore po përgatitet për miratimin e amendamenteve në ligjin, në të cilin për specialistët e huaj me kualifikim të lartë do të parashikohen kushte të veçanta favorizuese. Siç vë në dukje botimi "Rossiskaja gazeta", punësimi i një punëtori të zakonshëm është i mundur vetëm brenda kuadrit të kuotave të sanksionuara në çdo rajon për shfrytëzimin e fuqisë së huaj punëtore dhe kuotave për dhënien e lejes së punës shtetasve të huaj. Kuotat nuk kanë të bëjnë fare me specialistët e kualifikimit të lartë. Leja e punës për një profesionist të tillë do të jepet për gjithë afatin e kontratës së punës të lidhur me të, por jo më shumë se tre vjet (aktualisht ky afat është një vit) me mundësinë e zgjatjes së saj pa afate të kufizuara. Njëkohësisht me lejen e punës specialisti, si dhe familja e tij, do të përfitojnë lejen e qëndrimit në Rusi. Ndryshimet do të prekin edhe taksat: për specialistët e huaj jorezidentë me kualifikim të lartë tatimi do të jetë po i tillë, si dhe për rusët, 13 % (aktualisht është 30 %). Thjeshtëzimi radikal i legjislacionit të emigracionit bëhet me qëllim që të përmirësohet klima e investimeve. Specialistë me kualifikim të lartë do të konsiderohen ata punëtorë të huaj,  paga e të cilëve në Rusi përbën jo më pak se 2 milionë rubla (51mijë e 200 euro) në vit.

Komentimi i artikullit të ditës

Drejtori i Qendrës së studimeve të tregut të punës Vladimir Gimpelson i konsideron masat e propozuara të drejta, por të pamjaftueshme: "Kurrfarë mase, bile dhe ajo më e mira, e marrë në vetëvete, nuk mund të ndryshojë në mënyrë radikale situatën. Por ndër masat e tjera, kjo është tejet e rëndësishme... Bazën minimale fillestare të rrogës për një specialist të mirë unë e quaj si tejet të lartë. Ne na duhen specialistë në fusha të ndryshme, dhe specialistë të tillë ka plot. Por kuadrot e përzgjedhjes sipas kushteve të tilla financiare janë tej mase të rrepta. Me jetën reale shifra prej 2 milionë rublash nuk përputhet, nuk përkon kurrsesi", thotë Vladimir Gimpelson.

Zëvendës drejtori i përgjithshëm për zhvillimin e biznesit të holldingut të personelit "Ankor" Aleksei Mironov mendon, se fillimi i procesit të rivendosjes pas krizës solli në rritjen e propozimeve për kuadrot e huaj në Rusi: "Gjatë këtyre viteve të fundit investitorët perëndimorë kanë patur probleme të mëdha me sjelljen në Rusi të specialistëve të huaj me kualifikim të lartë, pikërisht për nga pikëpamja e legjislacionit. Sepse është mjaft e vështirë që të merret leja e punës sipas mënyrës së duhur, të kërkuar. Në qoftë se masa të tilla do të ndërmerren, sigurisht, që investitorët do të vijnë më me dëshirë e lehtësi në Rusi dhe, rrjedhimisht, do të vijnë këtu specialistë të kualifikimit të lartë. Deficiti i tyre tek ne është mjaft i ndjeshëm.