Shkarko audiofailin

Kryeqyteti rus në emrat e rrugëve dhe shesheve, në ndërtimet arkitekturale dhe monumentet e veta ruan kujtimin e një prej evenimenteve më të rëndësishme dhe më dramatike të historisë së vendit - Luftës Patriotike të vitit 1812 kundër trupave të Napoleonit. Por simboli kryesor i fitores së Rusisë në këtë luftë është, sigurisht, Harku i Triumfit. Vendndodhja e monumentit duket krejtësisht e natyrshme: Portat triumfale, të cilat kurorëzojnë bulevardin me emër të Mihaill Kutuzovit, Kryekomandantit të ushtrisë ruse që shpartalloi Napoleonin, qendrojnë në Sheshin e Fitores. Kurse aty pranë ndodhet Muzeu i famshëm panoramë "Beteja e Borodinosë", kushtuar historisë së betejës me rëndësi vendimtare të luftës kundër Napoleonit. "Nga të gjitha betejat e mia, - thoshte Napoleoni, - më e tmerrshmja ishte ajo që unë zhvillova nën Moskë. Francezët e treguan veten si luftëtarë që e meritojnë fitoren, kurse rusët merituan të drejtën për të qenë të pamposhtur". E megjithatë Moskën u detyruan ta lënë në dorën e armikut atëhere. "Me humbjen e Moskës nuk mund të quhet e humbur Rusia, - shprehej me bindje të plotë Kutuzovi. Dhe me të vërtetë, tashmë pas 2 vjetësh, në vitin 1814 trupat ruse hynë në Paris duke çliruar Europën nga diktatori më i tmerrshëm i shekullit të XIX-të. Bashkëpunëtorja shkencore e Muzeut-panoramë "Beteja e Borodinosë" Llada Mitroshenkova në intervistën ekskluzive dhënë për radiokompaninë "Zëri i Rusisë" tregon: "Pasi shpartalluan ushtrinë e Napoleonit trupat ruse u kthyen nga Europa në kryeqytetin e atëhershën të perandorisë, në Shën Peterburg. Dhe fillimisht Harku i Triumfit prej druri u ndërtua pikërisht atje. Por më vonë Perandori Nikollai i I-rë urdhëroi të ngrihet Harku i Triumfit edhe në Moskë. Ai u ndërtua sipas projektit të arkitektit Osip Bove në shtator të vitit 1834. Harku i Triumfit qendroi 102 vjet, kurse në vitin 1936 në lidhje me punimet rikonstruktuese të sheshit aty pranë u demontua. Jetën e vet të dytë Harku i Triumfit e rifitoi në vitin 1968. Disa hapa larg tij, në Kodrën Pokllonaja, Napoleoni priti më kot delegacionin e moskovitëve me çelësat e Kremlinit në duar për t'ia dorëzuar atij. Rregulli ishte vendosur që prej shumë kohësh: banorët, me qëllim që të ruanin qytetin nga shkatërrimi, i sillnin fitimtarit çelësat e tij. Duke u bërë zotërues i qytetit ai nuk e plaçkiste atë, por e merrte nën mbrojtjen e vet. Shfaqjen e "irracionalitetit" rus Napoleoni nuk e priste kurrsesi. Dorëzim çelësash nuk pati, por pati një zjarr të tillë të madh që pushtoi gjithë Moskën për 4 ditë me radhë. Dhe nuk e priste fare Napoleoni, sigurisht, që trupat ruse duke ndjekur këmba-këmbës armikun do të hynin në vitin 1814 deri në Paris... nëpërmjet Harkut të Triumfit, të cilin Perandori  francez dha urdhër ta ngrenë për nder të fitoreve të tija ushtarake.