Zëri i Rusisë  


Shkarko audiofailin

Cisterna ruse «Московский университет» ("Universiteti i Moskës") me ekuipazh prej 23 vetash në bord iu nënshtrua një sulmi të armatosur nga ana e piratëve pranë brigjeve të Somalisë. Komunikimi me ekuipazhin u ndërpre kur cisterna ndodhej 300 milje në lindje të Gjirit të Adenit. Për ti ardhur asaj në ndihmë po nxiton anija kundërnëndetëse ruse "Marshall Shaposhnjikov". Me sa duket nga të gjitha, në sulmin e piratëve ndaj cisternës ruse fshihet njëfarë kuptimi simbolik. Sepse pikërisht vetëm disa ditë më parë Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën e propozuar nga Rusia për masat suplementare të luftës kundër banditëve detarë, e cila parashikon krijimin e gjykatës ndërkombëtare për ndjekjen e tyre penale. Vetëm vitin e kaluar piratët ndërmorrën më tepër se 200 sulme dhe morrën peng, as më shumë e as më pak, por 50 anije duke përfituar një shpërblesë prej gati 80 milionë dollarësh për lirimin e tyre. Vetëkuptohet, se një biznesi të tillë kaq fitimprurës është e pamundur ti pritet rruga vetëm me deklarata. Siç tregon praktika, jo gjithmonë ndihmon bile edhe patrullimi ushtarak i itinerareve detare në rajonin e Bririt Afrikan. Këto kohët e fundit piratët pranë brigjeve të Somalisë kanë aktivizuar ndjeshëm veprimtarinë e tyre, vuri në dukje në intervistën e vet dhënë radiokompanisë "Zëri i Rusisë" eksperti për të Drejtën Detare Vasilij Guculjak: "Viktima të piratëve bëhen edhe anijet ruse. Zaptimi i sotëm i cisternës ruse, me sa duket nga të gjitha, nuk është i fundit. Piratët bashkëkohorë përfaqësojnë në vetëvete grupe të organizuara mjaft mirë dhe të armatosura për mrekulli. Përveç kësaj, piratët pa e bërë fort të gjatë venë në përdorim armët e zjarrit", thotë Vasilij Guculjak. Përsa i përket perspektivave të luftës kundër kësaj dukurie të rrezikshme, duhet thënë, se ato nuk paraqiten aspak të ndritshme. Qeveria kalimtare e Somalisë nuk është në gjendje të kontrollojë dot situatën në vendin ku varfëria është bërë normë jete. Shpesh herë banorët e thjeshtë somalezë nuk kanë rrugëdalje tjetër përveç ushtrimit të veprimtarisë së "prestigjshme" dhe mjaft fitimprurëse të piraterisë. E megjithatë, përpjekjet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili miratoi një sërë rezolutash përkatëse, të ngjallin disa shpresa. Këto dokumente do tu lejojnë shteteve të përdorin forcat e armatosura jo vetëm brenda kufijve të detit territorial dhe ujërave të brendshme të Somalisë, por edhe në stere. Ndërsa shfrytëzimi i normave të qarta ndërkombëtare për ndjekjen penale të personave të kapur në vendin e krimit dhe të njohur si piratë do të lejojë të luftohet me këtë fenomen mbi bazë sistemore. Dhe jo vetëm me metoda ushtarake, por dhe me metoda ligjore.