Jurij Lluzhkov. Kryetar i Bashkisë së Moskës që nga viti 1992. Njeri shpatullgjerë, me trup të lidhur, të fortë, me kokë të shogët (tullace), sy të picërruar. Atribut konstant, i pandarë i tij është kasketa. "Kasketa mbron disa pjesë të zbuluara të trupit tim!"- se si u shpreh me shaka ai njëherë në një intervistë televizive.

Në politikë ai shpesh herë vepron në kundërshtim të plotë me korrektësinë politike. Atë e patën shpallur "persona non grata" (person të padëshirueshëm) në Ukrainë për shkak të deklaratave të tij në lidhje me "qytetin rus Sevastopol". Ai pat propozuar rivendosjen e momumentit të Feliks Xherzhinskit në Moskë, kurse pak kohë më parë donte të shtypte një seri pllakatesh me portretin e Stalinit për festën e 65 vjetorit të Fitores mbi Gjermaninë. Por ndërroi mendje në momentin e fundit.

Që prej 20 vjetësh ai hyn në mënyrë të qëndrueshme në dhjetëshen e politikanëve më të autoritetshëm të vendit. U emërua në postin e Kryetarit të Bashkisë së Moskës nga Presidenti i parë i Rusisë Boris Jelcen në vitin 1992. Për të pestën herë u miratua kandidatura e tij për në këtë post me rekomandim të Presidentit të Federatës Ruse Vladimir Putin në vitin 2007, pas anulimit të zgjedhjeve të guvernatorëve.

Babai i Jurij Lluzhkovit ka qenë marangoz dhe u vendos me banim në Moskë në vitet 30-të të shekullit të kaluar. Mamaja e tij pat lindur në një nga fshatrat e Bashkirisë. Prej saj Lluzhkovi trashëgoi tipin aziatik të fizionomisë. Kreu studimet e larta në Institutin e industrisë kimike të naftës dhe gazit të Moskës. Kur ishte student punonte për të fituar ndonjë lek si hamall dhe punëtor pastrimi në qytet. Në studime nuk shkëlqente.

Për 22 vjet arriti të bënte një karrierë marramendëse: nga bashkëpunëtor i ri shkencor deri tek drejtor i përgjithshëm. Në institutin shkencor që kryesohej prej tij Lluzhkovin prapa krahëve shpesh e quanin "Duçe". Dhe jo vetëm për shkak të ngjashmërisë aparenciale me Musolinin, por edhe për mënyrën e drejtimit.

Disa venë në dukje, se gjatë drejtimit të Lluzhkovit në postin e Kryetarit të Bashkisë Moska u shndërruan në një qytet me zhvillim të shpejtë, ndërsa të tjerë e akuzojnë atë për shkatërrim të imazhit arkitektonik të Moskës së vjetër. Ka të tillë që i janë mirënjohës atij për shtesat e pensioneve që u bën  moskovitëve, por ka dhe persona që e akuzojnë atë për korrupsion. Bashkëshortja e tij aktuale Elena Baturina është gruaja më e pasur në Rusi (zotëron 2,9 miliardë dollarë dhe renditet në vendin e 342 në listën botërore të revistës Forbes për vitin 2010). Me që ra fjala, çdo njeri që merr guximin ta akuzojë atë për "nepotizëm" ai e hedh në gjyq pa mënuar. Dhe deri tani, duhet thënë, se i ka fituar të gjitha paditë e ngritura kundër tij.

Filozofia e tij është : të punohet sipas mënyrës kapitaliste, ndërsa të shpërndahen frytet e punës sipas mënyrës socialiste. Kurse të gjitha kontradiktat e vetë formulës ai i eliminon me rezervën administrative të megapolisit, nëpërmjet të cilit kalojnë 80% e të gjitha rezervave financiare të vendit.

Në jetën e vet private Jurij Lluzhkov aktualisht rezulton i martuar për të tretën  herë dhe nga këto martesa ka 4 fëmijë. Është fort i apasionuar pas tenisit, futbollit, peshkimit dhe rritjes së bletëve. Për më tepër se 30 vjet nuk pi duhan dhe pije alkoolike. Ndërsa energjisë së tij ia kanë zilinë shumë politikanë të rinj.

0 "Në qoftë se e ke bërë punën shpejt, por keq njerëzit do të harrojnë se është bërë shpejt, por do të mbajnë mend se është bërë keq", - parapëlqen të thotë ai.